Lidhje

Microsoft: Rusia po intensifikon sulmet kibernetike ndaj vendeve të tjera


FILE - A computer screen displays cyber code in this picture illustration taken October 4, 2018.

Rusia duket se po bëhet më agresive dhe më e suksesshme ndërsa hakerët e këtij vendi po intensifikojnë sulmet kibernetike kundër Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera, thuhet në një raporti të ri të kompanisë Microsoft.

Raporti i Mbrojtjes Dixhitale i kompanisë Microsoft për vitin 2021 thotë se “aktorët shtetërorë rus” janë përgjegjës për 58% të të gjitha sulmeve kibernetike të kryera nga qeveritë e vendeve në botë, dhe se ata tani janë të suksesshëm në pothuajse çdo të tretën përpjekje.

"Grupet me bazë në Rusi kanë forcuar pozicionin e tyre duke u bërë kërcënim akut për ekosistemin dixhital global", thuhet në raport, duke paralajmëruar se aktorët kibernetikë rusë kanë përmirësuar aftësitë e tyre për t’u përshtatur me ndryshimet në teknologji dhe për të përdorur metoda të publikuar në burime publike të informacionit. Kjo po i bënë gjithnjë e më të vështira përpjekjet "për t’i zbuluar ata."

Microsoft gjithashtu tha se objektivi më i shpeshtë i Rusisë janë Shtetet e Bashkuara, të pasuara nga Ukraina dhe Britania, dhe se Moska tani po përqëndrohet më shumë në mbledhjen e informacioneve të zbulimit. Më shumë se gjysma e sulmeve kibernetike ruse tani vënë në shënjestër agjencitë e përfshira në politikën e jashtme, sigurinë kombëtare dhe mbrojtjen, nga vetëm 3% që ishte një vit më parë.

Sipas kompanisë Microsoft, pas Rusisë, numri më i madh i sulmeve kibernetike u realizuan nga Koreja e Veriut, Irani dhe Kina.

Objektivi kryesor i Koresë së Veriut ishin kompanitë e kriptomonedhave. Irani katërfishoi sulmet e tij ndaj Izraelit, ndërsa tensionet midis dy vendeve u rritën në mënyrë të vazhdueshme.

Kina gjithashtu ishte aktive, duke u përqëndruar në përpjekjet e saj kibernetike në mbledhjen e informacioneve të zbulimit.

Microsoft tha se një pjesë e madhe e përpjekjeve të Pekinit, përmes një aktori kërcënues të quajtur Chromium, u përqëndruan në mbledhjen e informacioneve sociale, ekonomike dhe politike në Indi, Malajzi, Mongoli, Pakistan dhe Tajlandë.

Një tjetër aktor kërcënues kinez, i njohur me emrin Nikel, i përqendroi përpjekjet e tij në ministritë e jashtme të vendeve të Amerikës Qendrore dhe Jugore.

Raporti tha gjithashtu se Koreja e Jugut, Turqia dhe Vietnami ishin gjithnjë e më aktive në hapësirën kibernetike, megjithëse vëllimi i sulmeve të kryera nga ato vende ishte shumë i vogël në krahasim me ato të Rusisë, Koresë së Veriut, Iranit dhe Kinës.

Zyrtarët e lartë amerikanë kanë ndarë shqetësimet e tyre në lidhje me rrezikun në rritje nga sulmet kibernetike, veçanërisht nga vendet armike, nëjavët e fundit. Shumë prej tyre kanë shprehur mbështetje për miratimin e një legjislacioni që do të kërkonte nga kompanitë private që të njoftonin qeverinë amerikane për rastet e sulmeve kibernetike ndaj sistemeve të tyre.

"Unë mendoj se kemi arritur në një pikë, ku harku e krimeve kibernetike dhe kërcënimet kibernetike janë bërë vertëtë çështje urgjente", tha Sekretari i Sigurisë, Alejandro Mayorkas në një konferencë virtuale mbi sigurinë kibernetike në fillim të kësaj jave. "Ne jemi optimistë se legjislacioni do të miratohet", shtoi ai.

Duke folur në të njëjtën konferencë të enjten, Drejtorja e Agjencisë amerikane të Sigurisë Kibernetike dhe Infrastrukturës, Jen Easterly tha se ndërsa shumë nga kërcënimet nuk janë të reja, ato mbeten shqetësuese, duke patur parasysh "sa të pambrojtura janë disa nga sektorët tanë të infrastrukturës kritike".

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG