Lidhje

Shqipëri, Qeveria shpall “emergjencën energjitike”


Në Shqipëri, qeveria vendosi sot të shpallë emergjencën në furnizimin me energji elektrike. Sipas kryeministrit Rama, një vendim i tillë diktohet nga e rritjes marramendëse të çmimit të energjisë në tregjet ndërkombëtare. Qeveria pritet të shpallë nesër planin e masave për përballimn e situatës, ndërkohë që me vednimin e sotëm ka urdhëruar pezullimin e investimeve në të tre kompanitë e sektorit energjitik. Opozita nga ana e saj edhe sot foli për një krizë të keqmenaxhimit.

Shqipëri, Qeveria shpall “emergjencën energjitike”
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:09 0:00

Vendimin për shpalljen e emergjencës energjitike qeveria e mori gjatë një mbledhjeje të saj jashtë radhe, ndërsa pak ditë më parë kryeministri Rama kishte paralajmëruar për një situatë të jashtëzakonshme.

Vendimi i emergjencës është i diktuar nga një situatë e përgjithshme e rritjes marramendëse të çmimit të energjisë elektrike në tregjet ndërkombëtare dhe i jep qeverisë mundësinë që të ndërhyjë qoftë me instrumente financiarë, qoftë edhe me instrumente të natyrës administrative”, deklaroi kryeministri. Gjendja e emergjencës do të jetë në fuqi deri në mesin e prillit të vitit të ardhshëm.

Në Europë rritja e ndjeshme e çmimeve të energjisë elektrike, ka pasuar rritjen e çmimit të gazit, qymyrit apo dhe naftës. Efektet në Shqipëri, vijnë për shkak të faktit se vendi në këtë periudhë është i detyruar të importojë për të mbuluar pamundësinë e furnizimit nga prodhimi vendas. Çmimet aktuale të importit kanë kërcyer në nivele shumë të larta. Kryeministri Rama deklaroi se synimi i qeverisë “është që të mbrojë konsumatorët, me një rend prioritetesh nga poshtë lartë. Ata që janë më në nevojë e duke vajtur më lart", por pa shpjeguar se në çfarë mënyre.

Zoti Rama la të kuptohej një zgjidhje që nuk do kalonte përmes prekjes së çmimit për qytetarët: “Nëse zgjidhja do të ishte, po rrisim çmimin, atëherë nuk do të kishim bërë atë që do të bënte çdo qytetar për veten e tij”.

Megjithatë ai paralajmëroi se kjo situatë nuk do të mund të kalojë pa kosto: “Eshtë shumë e rëndësishme që ne të bëjmë gjithshka , por i them çdo qytetari se hesapet janë hesape, dhe kjo është shtëpi e përbashkët dhe si në çdo shtëpi të vogël dhe shtëpia jonë e madhe ka mundësitë e veta jo të pakufizuara dhe ka përgjegjesinë e përbashkët për ta mbajtur atë në këmbë”.

Opozita nga ana e saj është e bindur se këtu nuk bëhet fjalë për një krizë energjitike. “Kjo është krizë korrupsioni dhe keqmenaxhimi me shkak dhe me plan. I keni bilancet e operatorëve të energjisë, i keni parë si në verë shesin me çmim të ulët energjinë e prodhuar nga uji, nga burimet hidrike të shqiptarëve dhe blejnë me 3-4 fish çmimin pak muaj më vonë në tendera korruptivë duke shpërdoruar taksat që ua mbledhin kacidhe më kacidhe shqiptarëve”, deklaroi kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha.

Duke ju referuar shifrave, opozita u shpreh se 2021 është ndër vitet më të mira të prodhimit të energjisë në vend. Kryetari i grupit parlamentar demokrat, Alfred Rrushaj tha se deri në shtator është prodhuar më shumë se sa konsumi mesatar. Por kompanitë shtetërore, u shpreh ai, kanë zgjedhur të blejnë energji në periudhën e shtrenjtimit të saj. Sipas zotit Rrushaj, kostot për mbulimin me energji deri në fund të vitit mund të shkojnë në mbi 140 milion euro: “Për periudhën shtator- tetor kompania publike për të plotësuar këtë detyrim do ti duhet të paguajnë rreth 150 milion euro. Sikur ta kishin marrë nga KESH, po ta merrni nga KESH fatura do të ishte 8 milion euro. Llogariteni vet sa është diferenca që do i kushtoj qytetarëve shqiptarë. Në cfarëdo lloj forme ose duke rritur çmimin ose nga buxheti i shtetit, në çdo rast është faturë që paguajnë qytetarët shqiptarë

Ndërsa nesër pritet të bëhet publik plani i masave, vendimi i sotëm i qeverisë parashikon ngritjen e një grupi institucional për administrimin e emergjencës, si dhe urdhërin që tre kompanitë e sektorit energjitik të pezullojnë investimet, ndërkohë që ministria e Financave duhet të sigurojë mekanizmat financiar për përballimin e importit të energjisë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG