Lidhje

Përleshje dhe të plagosur gjatë një operacioni të policisë në veriun e Kosovës


Dhjetë pjesëtarë të policisë së Kosovës dhe një pjesëtar i komunitetit serb janë plagosur të mërkurën gjatë një përplasjeje mes policisë dhe grupeve të protestuesve serbë në veriun e Kosovës, që kundërshtuan një operacion në shkallë të gjerë të policisë për sekuestrimin e mallrave të kontrabanduara në disa qytete.

Policia tha se operacioni është zhvilluar në rajonin e Prishtinës, Pejës dhe Mitrovicës së Jugut pa ndonjë problem, ndërsa ajo hasi në rezistencë në Mitrovicën e Veriut dhe në komunën e Zveçanit, të banuar me shumicë serbe.

“Grupe kriminale në mënyrë të organizuar janë grumbulluar, kanë krijuar bllokime të rrugëve me mjete të ndryshme transportuese, kanë përdorur bombola gazi, shok bomba, të shtëna me armë zjarri e granata dore, me qëllim të pengimit dhe sulmit ndaj zyrtarëve doganorë dhe policorë, të cilët kanë qenë në kryerje të detyrës zyrtare”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia, tha se hodhi gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit.

Sipas policisë, përgjatë operacionit janë arrestuar tetë persona, të përkatësive të ndryshme etnike dhe janë sekuestruar mallra të kontrabanduara në vlerë prej qindra mijëra eurosh, që janë gjetur në zonat ku janë kryer bastisjet. Policia e Kosovës tha po ashtu se ka identifikuar dhjetë persona që dyshohet se janë të përfshirë në kontrabandë dhe të cilët janë shpallur në kërkim.

Policia tha se operacioni policor ka përfunduar dhe se “situata në pjesën veriore të Mitrovicës është qetësuar”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha në një reagim përmes rrjeteve sociale se veprimet e sotme policore janë paraprirë nga hetimet intensive dhe janë kryuer me urdhër e të bashkërenduar me prokuroritë dhe gjykatat përgjegjëse.

“Krimi dhe grupet kriminale nuk do të tolerohen dhe do të luftohen. Kontrabandën do ta luftojmë e do ta parandalojmë”, shkroi ai, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve në komunën veriore të Mitrovicës që të mos bien pre, siç tha, e disa medieve në Serbi “që e mbrojnë krimin, korrupsionin dhe kontrabandën dhe duan ta politizojnë dhe etnizojnë atë”.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç, përmes një komunikate për media ftoi bashkësinë ndërkombëtare që të reagojë.

“I bëj thirrje bashkësisë ndërkombëtare, NATO-s dhe KFOR -it, që të reagojnë urgjentisht dhe të ndalin Albin Kurtin. Situata është dramatike dhe ky është momenti i fundit në të cilin është i nevojshëm një reagim i qartë për të ndaluar politikën e çmendur, të ndjekur nga Prishtina. Kjo lloj sjelljeje ka tejkaluar çdo masë dhe na çon në prag të kaosit”, tha ajo.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, mbajti një takim në qytetin kufitar serb të Rashkës, me përfaqësues të serbëve të Kosovës. I shoqëruar nga ministrat e mbrojtjes dhe të brendshëm dhe komandantët ushtarakë, ai tha se “çfarëdo që të ndodhë, Serbia dhe Beogradi do të jenë me ju. Këtë nuk po e them për formalitet. Ata që më njohin e dinë shumë mirë se çfarë do të thotë kjo”, tha ai, duke nënvizuar që nëse fuqitë perëndimore dështojnë të mbrojnë serbët, këtë do të bëjë Serbia.

“Përgjigja ime për ju do të jetë e qartë, dhe kjo është, se në atë betejë në të cilën ne duhet të mbrojmë jetën e fëmijëve tanë në Kosovë, në të cilën ne duhet të mbrojmë mbijetesën e tyre, jo vetëm që do ta mbrojmë, por sot ju them për herë të parë me siguri, se në atë betejë do të fitojmë”, u tha ai serbëve të mbledhur në Rashkë, në një kazermë të ushtrisë serbe.

Ministri serb në qeverinë e Kosovës, Goran Rakiç, e cilësoi gjatë ditës operacionin e policisë si “natën e kristaltë”, për serbët e Kosovës, duke nxitur reagimin e ambasadorit gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde i cili e cilësoi këtë deklaratë të papranueshme.

Stop! Krahasimi i operacionit të sotëm të policisë me "natën e kristaltë" është i papranueshëm. Krahasime të tilla kontribuojnë drejt shtrembërimit dhe mohimit të Holokaustit”, shkroi ambasadori gjerman.

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit tha se Shtetet e Bashkuara kërkojnë qetësi kundrejt ngjarjeve të së mërkurës në Kosovë.

Ne do të vazhdojmë të punojmë me partnerët në Bashkimin Evropian dhe NATO për të ndihmuar të gjitha palët të ruajnë përparimin e arritur në procesin e normalizimit të marrëdhënieve dhe uljen e tensioneve”, thuhet në një përgjigje të zëdhënësit për Zërin e Amerikës.

Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se “veprimet e njëanshme dhe të pa bashkërenduara që rrezikojnë qëndrueshmërinë janë të papranueshme”. Në një postim në rrjetet sociale ai tha se të gjitha çështjet e hapura mes dy vendeve duhet të trajtohen përmes bisedimeve të lehtësuara nga Bashkimi Evropian.

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, tha në një konferencë për media se nuk bëhet fjalë për veprime të njëanshme dhe as për ndonjë represion shtetëror.

“Me kënd mund ta bëjmë ne një operacion të shumanshëm? Është vetëm një polici, është një doganë, është një Agjenci e Inteligjencës, është një KFOR, i cili është njoftuar paraprakisht. Kështu që për kënd e ka pasur fjalën zoti Borell unë nuk e di. Por, në qoftë se dikush mendon se ne duhet të bashkërendohemi me Beogradin që të godasim ata të cilët Beogradi po i mbron në krim, atëherë mendoj se është një qasje e gabuar”, tha ai, duke nënvizuarve operacioni nuk ka të bëjë me përkatësinë etnike.

“Më lejoni të ju informoj se prokurorja e rastit është serbe, gjykatësi i procedurës paraprake është serb, pjesëtarët e njësisë së reagimit të shpejtë në Mitrovicë të Veriut janë shumica dërmuese serbë. Shumica e të arrestuarve janë shqiptarë, shumica e të shpallurve në kërkim janë shqiptarë, kështu që nuk bëhet fjalë për ndonjë represion shtetëror”, tha ministri Sveçla.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se operacioni i sotëm nuk mund të quhet "aksion në veri", sepse ai u zhvillua në pjesë të ndryshme të Kosovës ndaj personave të etnive të ndryshme, që të përbashkët kishin kontrabandën dhe krimin e organizuar.

“Kushdo që tenton ta paraqesë ndryshe, është ndihmëtar ndaj grupeve kriminale, të cilat BE-ja ka dy dekada që po kërkon t’i luftojmë. Tani që kjo luftë ndaj krimit është e vërtetë, e pakompromis, dhe e panegociueshme, presim që BE të qëndrojë besnike ndaj vlerave të sundimit të ligjit të cilat vetë i përfaqëson”, tha presidentja Osmani, në një postim në rrjete sociale.

Tensionet e së mërkurës, ndodhën pak kohë pasi që Bashkimi Evropian i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, ndërmjetësoi një marrëveshje për zgjidhjen e çështjes së përdorimit të targave që çuan në tensione të larta ndërmjet të dyja vendeve.

Dënohen sulmet ndaj gazetarëve në veriun e Kosovës

Shoqatat e gazetarëve dhe për mbrojtjen e të drejtave të njeriut thanë të mërkurën se gazetarët janë sulmuar gjatë ditës nga protestuesit serbë, që po kundërshtonin një operacion të policisë në veriun e Kosovës.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës tha se “janë sulmuar disa gazetarë të mediave të ndryshme shqiptare në “Lagjen e Boshnjakëve” në Mitrovicën e Veriut dhe një tjetër incident ka ndodhur rrugës për në Leposaviq, ku protestuesit kanë ndjekur nga pas veturat me gazetarë”.

Sipas shoqatës, sulme dhe trysni pati edhe ndaj gazetarëve të portalit lokal “Kossev”, në gjuhën serbe dhe “si pasojë, redaksia i ka tërhequr ekipet e saj nga terreni”.

Ndaj sulmeve reagoi edhe Platforma Rajonale e Ballkanit Perëndimor për Mbrojtjen e Lirisë së Medias dhe Sigurisë së Gazetarëve

Asociacioni tha se një ekip i Radios Evropa e Lirë, ishte në mesin të sulmuarve nga protestuesit në veri të Kosovës.

“AGK-ja e ka pranuar me shqetësim lajmin se ekipi i këtij medium ndërkombëtar është rrethuar nga 50 persona, të cilët kanë kërkuar që të mos xhirohen. Në tentim për ta marrë kamerën, e kanë dëmtuar atë dhe makinën taxi, me të cilën ishte duke udhëtuar ekipi. Fatmirësisht, ekipi ka arritur të largohet nga turma pa u lënduar”, shkroi kjo shoqatë, duke u bërë thirrje “organeve të rendit të kujdesen për sigurinë e gazetarëve në pjesën veriore të vendit”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG