Lidhje

Aktori 90 vjeçar William Shatner udhëtim në hapësirë


Aktori 90 vjeçar William Shatner u bë të mërkurën personi më i moshuar që shkon në hapësirë. Kapsula Blue Origin u ul me sukses sot në shkretëtirën e Teksasit, pas fluturimit të dytë turistik në hapësirë të kompanisë së miliarderit amerikan Jeff Bezos.

Shatner ishte një nga katër pasagjerët që udhëtuan në skaj të hapësirës me anijen New Shepard, rreth 100 km mbi Tokë. Ata ishin për rreth tre - katër minuta pa gravitet.

Katër astronautët, të gjithë të veshur me kostume blu fluturimi të kompanisë Blue Origin, u shoqëruan nga Bezos deri tek hyrja e raketës.

Erërat ishin të lehta dhe qielli ishte i kthjellët për nisjen, e cila u krye pas dy vonesash prej 45 minutash.

Për imagjinatën e amerikanëve, Shatner kishte mishëruar ëndrrën e udhëtimit në hapësirë në serinë televizive klasike të viteve 1960 "Star Trek".

Në ekuipazh bënin pjesë gjithashtu ish-inxhinieri i NASA-s Chris Boshuizen, sipërmarrësi i kërkimeve klinike Glen de Vries dhe nënpresidentja e Blue Origin dhe inxhiniere Audrey Powers.

Ishte fluturimi i dytë i turizmit hapësinor për Blue Origin, kompania e biznesmenit miliarder amerikan Jeff Bezos e themeluar dy dekada më parë.

Fluturimi përfaqëson një ditë tjetër të rëndësishme për industrinë e porsa-lindur të turizmit hapësinor që, sipas UBS, mund të arrijë një vlerë vjetore prej 3 miliardë dollarësh në një dekadë. Fluturimi, i planifikuar më parë për të martën, u shty një ditë për arsye të lidhura me erën.

Blue Origin kreu një fluturim të suksesshëm më 20 korrik, me Bezos dhe tre të tjerë në bord. Bezos, themeluesi i Amazon.com e krijoi kompaninë Blue Origin dy dekada më parë.

XS
SM
MD
LG