Lidhje

Proces i ri gjyqësor ndaj të akuzuarve për grusht shteti në Mal të Zi


Të mërkurën, gjykata malazeze, njoftoi hapjen e një procesi të ri gjyqësor ndaj dy shtetasve rusëve dhe 11 personave tjerë të akuzuar për pjesëmarrje në një përpjekje për grusht shteti kundër qeverisë pro-perëndimore në vitin 2016.

Procesi i ri është caktuar të mbahet me 18 tetor dhe çështja iu caktua gjyqtarit Zoran Radoviq.

Aktgjykimi i shkallës së parë u dha më 9 maj 2019. Gjyqtari i çështjes në atë kohë vendosi që të akuzuarit, përfshirë udhëheqësit e koalicionit politik pro-serb të Frontit Demokratik Milan Knezheviq dhe Andrija Mandiq, ish-gjenerali i xhandarmërisë serbe Bratislav Dikiç dhe dy agjentë të shërbimit të inteligjencës ruse GRU, Eduard Shishmakov dhe Vladimir Popov, i kishin kryer krimet për të cilat u dënuan.

Dy shtetasit rusë u gjykuan dhe u dënuan në mungesë në Mal të Zi, njëri me 15 dhe tjetri me 12 vjet burg, ndërsa pjesa tjetër e të dyshuarve morën dënime më të vogla. Gjykata e Apelit më 5 shkurt të këtij viti i hodhi poshtë dënimet, duke vlerësuar se vendimi i vitit 2019 ishte i shoqëruar me shkelje të ligjit penal dhe se nevojitej një proces i ri gjyqësor para një paneli tjetër gjyqtarësh.

Ky vendim vjen pas marrjes së pushtetit nga qeveria e re pro-ruse dhe pro-serbe, e cila mundi pas gati tri dekadash Partinë Demokratike e Socialiste të presidentit Milo Gjukanoviq, që konsiderohej si një administratë pro-perëndimore e shtetit të vogël të Ballkanit.

XS
SM
MD
LG