Lidhje

Një ligjvënës britanik humb jetën si pasojë e një sulmi me thikë


Një ligjvënës britanik humbi jetën të premten pasi një person e goditi disa herë me thikë gjatë një takimi në një kishë me zgjedhësit e tij.

David Amess, një ligjvënës 69-vjeçar i Partisë Konservatore të kryeministrit Boris Johnson, u sulmua rreth mesditës gjatë një takimi në Kishën Metodiste Belfairs në lindje të Londrës.

"Ai u trajtua nga shërbimet e urgjencës, por për fat të keq, vdiq në vendngjarje," tha policia. "Një 25-vjeçar u arrestua si i dyshuar për vrasjen menjëherë pasi oficerët mbërritën në vendngjarje, ku u gjet edhe një thikë."

Policia kontrolloi kishën dhe autoritetet thanë se nuk besonin se në incident ishte përfshirë edhe një tjetër person. Nuk janë dhënë ende detaje për motivin e sulmit.

Kolegët e tij të parlamentit shprehën tronditjen për vrasjen.

Flamujt në rezidencën e kryeministrit në Downing Street u ulën në gjysmë shtize në shenjë nderimi për të.

Ligjvënësi Amess, i martuar me pesë fëmijë, ishte zgjedhur për herë të pare në parlament në vitin 1983. Atij iu dha titulli i kalorësit nga Mbretëresha Elizabeth për shërbim publik në vitin 2015.

Pasi mori vesh lajmin, kryeministri Johnson u kthye me shpejtësi në Londër nga një takim në Bristol, në Britaninë perëndimore.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG