Lidhje

Haiti, bandat rrëmbejnë 17 misionarë amerikanë e familjarë të tyre


Një bandë kriminale, përgjegjëse për rrëmbimin e pesë priftërinjve dhe dy murgeshave në fillim të këtij viti në Haiti, akuzohet tashmë nga policia se ka rrëmbyer 17 misionarë nga një organizatë me bazë në Shtetet e Bashkuara, mes tyre edhe një fëmijë 2 vjeç.

Banda “Mawozo 400” i rrëmbeu misionarët në Ganthier, një komunë që shtrihet në lindje të kryeqytetit të vendit Port-au-Prince, tha inspektori i policisë Frantz Champagne për agjencinë e lajmeve The Associated Press.

Sipas autoriteteve banda kontrollon zonën e Croix-des-Bouquets-it që përfshin Ganthier-in, ku ata rrëmbejnë njerëzit dhe zhvasin pronarë biznesesh.

Pas vrasjes së Presidentit Jovenel Moïse në rezidencën e tij private më 7 korrik dhe një tërmeti të fuqishëm që vrau më shumë se 2.200 persona në gusht, Haiti po përballet sërish me një rritje të rrëmbimeve të lidhura me bandat.

Një zëdhënës i qeverisë amerikane tha se zyrtarët ishin në dijeni të njoftimeve për rrëmbimin e 17 misionarëve.

"Mirëqenia dhe siguria e qytetarëve amerikanë jashtë vendit është një nga përparësitë më të larta të Departamentit të Shtetit", tha një zëdhënës i cili nuk pranoi të bëjë të tjera komente.

Ndërkohë një zyrtar i lartë amerikan, duke folur në kushte anonimiteti, tha se Shtetet e Bashkuara janë në kontakt me autoritetet në Haiti me synim zgjidhjen e situatës.

Muajin e kaluar, një dhjak u vra para një kishe në kryeqytetin e vendit Port-au-Prince ndërsa bashkëshortja e tij u rrëmbye, një nga dhjetëra persona që ishin rrëmbyer muajt e fundit.

Të paktën 328 rrëmbime janë raportuar në Policinë Kombëtare të Haitit në tetë muajt e parë të 2021, krahasuar me një total prej 234 rrëmbimesh gjatë gjithë vitit 2020.

XS
SM
MD
LG