Lidhje

ODIHR: Zgjedhje paqësore në Maqedoninë e Veriut, pati mangësi dhe njoftime për kërcënime ndaj kandidatëve


ODIHR

Rezultatet paraprake të zgjedhjeve lokale të së dielës në Maqedoninë e Veriut treguan se ka rënë dominimi i katër viteve të fundit i Lidhjes Social Demokrate ndaj opozitës së drejtuar nga VMRO-DPMNE në rrafshin lokal. Ndërkaq, garuesit e partive shqiptare do të shkojnë në balotazh në qytetet e banuara me shumicë shqiptare.

Vëzhguesit e ODIHR-it vlerësojnë se zgjedhjet e 17 tetorit ishin konkurruese, por se pati një numër mangësish në kornizën ligjore për çka nevojiten reforma të plota. ODIHR thotë se pati dhe raste të izoluara të frikësimit dhe kërcënimit të kandidatëve dhe të votuesve.

Rezultati paraprak i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve nxjerr fituesit në 26 komuna nga 81 sa ka gjithsej Maqedonia e Veriut, ndërsa në disa komuna të tjera ende nuk ka përfunduar numërimi, por sidoqoftë do të ketë një raund të dytë në rreth gjysmën e komunave.

ODIHR: Zgjedhje paqësore në Maqedoninë e Veriut, pati mangësi dhe njoftime për kërcënime ndaj kandidatëve
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:07 0:00

Si partitë maqedonase edhe ato shqiptare e festuan mbrëmë në sheshe të qyteteve atë që e quajtën fitore në zgjedhje, ndonëse rezultatet e njoftuara nga partitë nuk përputheshin me të dhënat e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve.

Nga ana tjetër, rezultatet mund të pësojnë ndryshime nëse miratohen ankesat e paraqitura për parregullsi në procesin zgjedhor.

Misioni vëzhgues i ODIHR-it vlerëson se zgjedhjet e 17 tetorit ishin konkurruese dhe se gjerësisht u respektuan liritë themelore.

“Por një numër mangësish në kornizën ligjore nënvizuan nevojën për reforma gjithpërfshirëse”, tha shefja e Misionit të vëzhguesve të ODIHR-it Tana De Zulueta. Ajo theksoi se partitë më të mëdha politike gëzojnë përparësi sistemore në veçanti në shpërndarjen e burimeve publike për fushatë, përfshirë edhe atë në media. Ajo tha se në fushatë pati një retorikë negative që duke synuar shpesh gratë, shpërqendroi debatet nga më tepër çështje të tjera. Zonja De Zulueta vuri në dukje sfidat me aparatet biometrike për gjurmët e gishtave që u përdorën për herë të parë në këto zgjedhje.

ODIHR e vlerëson fushatën si përgjithësisht të qetë, por që çështjet e barazisë gjinore dhe të drejtave të grave munguan në platformat dhe fjalimet e garuesve, ndërsa vetë gratë nuk u përfaqësuan sa duhet.

“Vërejtëm raste të izoluara të kërcënimit të kandidatëve dhe morëm njoftime për trysni ndaj kandidatëve për t’u tërhequr nga gara; si dhe disa pohime të besueshme për trysin ndaj votuesve dhe për blerje të votës”, tha shefja e Misionit të ODIHR-it, Tana De Zulueta. Ajo shtoi se "u mor vetëm një veprim i kufizuar lidhur me një numër të vogël hetimesh të inicuara një ditë para zgjedhjeve si përgjigje e kallëzimeve për parregullsitë e lartpërmendura".

ODIHR-i e vlerëson ditën e zgjedhjeve përfshirë dhe numërimin e votave përgjithësisht si pozitive, krahas problemeve të shpeshta me mjetet biometrike për gjurmët e gishtave, votimit në grupo se familjar.

Nga partitë shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim ka fituar garën në tre komuna qysh në raundin e parë, edhe atë në Saraj të Shkupit, në Likovë, në veri të vendit dhe në Pllasnicë, afër Kërçovës.

Fituesit në qytetet më të mëdha si Tetova, Gostivari, Struga, Kërçova, komuna e Çairit në Shkup dhe Dibra të cilat pritet të drejtohen nga shqiptarët, do të dihen pas balotazhit të 31 tetorit.

Në Tetovë, në balotazh shkojnë Teuta Arifi e BDI-së e cila garon për mandatin e tretë dhe Bilall Kasami i Lëvizjes Besa.

Në Gostivar, Arben Taravari i Aleancës për Shqitarët dhe Alternativës, i cili garon për një mandat të dytë dhe Nevzat Bejta, ish kryetar i komunës nga radhët e BDI-së.

Në Strugë do të përballen Ramiz Merko i BDI-së me Idri Istrefin e Aleancës për Shqiptarët, në Kërçovë, Fatmir Dehari i BDI-së do të ketë për rival në balotazh një kandidat të VMRO-DPMNE-së.

Balotazhi në Çair do të nxjerrë fituesin midis Visar Ganiut të BDI-së dhe Bekim Sali të Alternativës dhe Aleancës, ndërkohë që në Dibër (të Madhe) në raundin e dytë përballen Bekim Pocesta i Aleancës për Shqiptarët dhe Hekuran Duka i BDI-së.

Raundi i dytë pritet me interes edhe për vetë kryeqytetin, përkatësisht për komunën e Shkupit, ku numërimi ende nuk ka poërfunduar zyrtarisht teksa Danella Arsovska e deklaruar si kandidate e pavarur, por e mbështetur nga VMRO-DPMNE-ja e opozitës dhe Aleanca me Alternativën, mori mbi pesë mijë vota më tepër se Petre Shilegov i Lidhjes Social Demokrate, i mbështetur edhe nga partitë shqiptare në pushtet, BDI dhe Lëvizja Besa.

Në bllokun politik maqedonas zgjedhjet e 17 tetorit favorizuan VMRO-DPMNE-në në disa prej komunave të rëndësishme si Ohri, Manastiri, Prilepi, Velesi, Shtipi dhe disa nga komunat e Shkupit, të cilat nga viti 2017 ishin nën drejtimin e socialdemokratëve (LSDM).

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG