Lidhje

Samiti i BE-së lë pazgjidhur përplasjet ligjore me Poloninë


Ndasitë e thella mbi rendin ligjor dhe energjinë brenda Bashkimit Evropian bënë që një takim i nivelit të lartë i BE-së të zgjaste deri të enjten vonë, ndërsa Polonia, Hungaria dhe Republika Çeke shprehën qëndrime të kundërta ndaj Brukselit.

Tema e sundimit të ligjit ishte veçanërisht e mprehtë. Kjo çështje mund të tronditur themelet e bllokut prej 27 vendesh anëtare.

Ndarja lindje-perëndim pritej të vazhdonte të premten, kur udhëheqësit po diskutojnë lidhur me imigracionin, një temë që i ktheu evropianët ashpër kundër njëri-tjetrit kur Gjermania hapi dyert e saj për azilkërkuesit e larguar nga lufta në vitin 2015.

Polonia përsëri mbrojti një vendim të 7 tetorit nga Gjykata Kushtetuese që thotë se ligji i BE -së zbatohet vetëm në fusha të veçanta, të kufizuara dhe ligji polak mbizotëron në të gjitha të tjerat.

Komisioni Evropian dhe vendet përfshirë Holandën, Finlandën dhe Belgjikën argumentuan se ky qëndrim minon unitetin e BE -së dhe ishte një justifikim ligjor për Varshavën për t’i hequr pavarësinë sistemit të saj gjyqësor dhe për të goditur normat demokratike.

Pak para fillimit të samitit, Presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane Angela Merkel zhvilluan bisedime kokë më kokë me kryeministrin polak Mateusz Morawiecki.

Sipas një zyrtari të Pallatit Elysee, presidenti Macron i kërkoi zotit Morawiecki "të gjejë një zgjidhje në përputhje me parimet tona dhe rregullat e zakonshme". Udhëheqësit më pas mbajtën një diskutim relativisht të shkurtër dy-orësh mbi këtë çështje, të kërkuar nga Morawiecki.

"Debati u zhvillua në një atmosferë të qetë," tha një zyrtar i BE -së në kushte anonimiteti. Debati "ishte një hap që duhet të ndihmojë në drejtim të zgjidhjeve", shtoi zyrtari.

Por kjo u parapri nga katër orë debati mbi energjinë, e cila ishte pika kryesore e rendit të ditës kur u planifikua takimi.

Evropa po përpiqet të gjejë mënyra për të përballuar një krizë globale të energjisë, duke iu përmbajtur synimeve për të zbutur ndryshimin e klimës.

Diplomatët thanë se kryeministri çek Andrej Babis, i mbështetur nga udhëheqësi hungarez Viktor Orban, refuzoi të nënshkruajë përfundimet e samitit mbi energjinë, që kërkon të marrë një qëndrim të ri në të BE -së për emetimet e karbonit, të cilin ai e kundërshton.

Orbani dhe Babis janë aleatë të Morawieckit, dhe Hungaria dhe Polonia kanë një pakt mes tyre për të vënë veton ndaj çdo lëvizjeje të BE -së që ndëshkon tjetrin.

Fërkimi nga dy mosmarrëveshjet prishi atmosferën e samit të BE -së që ka të ngjarë të jetë i fundit për Merkelin, e cila po përgatitet për t'i dorëzuar frenat një qeverie të re gjermane që po formohet pas zgjedhjeve të shtatorit.

Një fotografi në grup e udhëheqësve, me distancë fizike, megjithatë paraqiti një shfaqje uniteti në kontrast me mosmarrëveshjet prapa dyerve të mbyllura.

'Vija e kuqe'

Duke mbërritur në bisedime, kryeministri belg Alexander De Croo tha se "është shumë e qartë se është kapërcyer një vijë e kuqe" me qëndrimin e Polonisë në rendin ligjor të bllokut.

"Ky diskutim vërtet ka të bëjë me thelbin e Bashkimit Evropian," tha ai.

Kryeministri holandez Mark Rutte dhe homologia e tij finlandeze Sanna Marin thanë se ka ardhur koha për të qenë të ashpër me Varshavën.

Ata dhe disa udhëheqës të tjerë thanë se Brukseli nuk duhet të lëvrojë 36 miliardë euro (42 miliardë dollarë) fonde të rimëkëmbjes nga pandemia për Poloninë ndërsa çështja qëndron e pazgjidhur.

Disa thanë se të gjitha paratë e buxhetit të BE -së për Varshavën duhet t'i nënshtrohen një mekanizmi kushtëzimi që lidh disbursimin me respektimin e sundimit të ligjit.

Një diplomat i BE-së paralajmëroi se komisioni po përgatiste mekanizmin dhe se "momenti i së vërtetës po afrohej" për Varshavën.

Merkeli e matur

Zoti Morawiecki nuk tregoi asnjë shenjë të tërheqjes. Ndërsa tha se ishte "gati për dialog" ai paralajmëroi: "Ne nuk do të veprojmë nën presionin e shantazhit."

Orbani i dha mbështetjen e tij të plotë, duke thënë se presioni mbi Poloninë ishte një "gjueti shtrigash".

Merkeli, e cila gjithmonë ka kërkuar një qasje të kujdesshme në samitet e BE-së për 16 vjet, tha se nuk donte që mosmarrëveshja me Poloninë të përfundonte para Gjykatës Evropiane të Drejtësisë.

"Një valë mosmarrëveshjesh ligjore para Gjykatës Evropiane të Drejtësisë nuk është zgjidhje e problemit se si mund të zbatohet sundimi i ligjit," tha ajo.

XS
SM
MD
LG