Lidhje

Kosova shpall persona të padëshiruar dy zyrtarë rusë


Në Kosovë, ministria e Punëve të Jashtme ka shpallur persona të padëshiruar dy zyrtarë të Zyrës Ndërlidhëse të Federatës Ruse që punojnë në këtë vend.

Lajmi u njoftua në median sociale nga Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, e cila më herët tha se i kishte kërkuar ministrisë së Jashtme t'i shpallte këta persona si të padëshiruar për shkak të asaj që u cilësua, veprimtari e dëmshme nga ana e tyre, e që ka cënuar sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.

Tashmë pritet që institucionet e sigurisë në Kosovë të zbatojnë vendimin.

Presidentja Osmani tha se “institucionet e Kosovës janë të vendosura në luftën kundër ndikimit keqdashës të Federatës Ruse dhe satelitëve të saj në rajon, të cilët synojnë rrënimin e arritjeve të Kosovës, të Shteteve të Bashkuara, NATO-s dhe Bashkimit Evropian”.

Ajo shtoi se Kosova do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë me aleatët amerikanë dhe evropianë për ta parandaluar që vendi dhe rajoni të jenë pre e ambicieve destablizuese të Federatës Ruse.

Rusia ka të hapur një Zyre Ndërlidhëse në Prishtinë që nga viti 2005.

XS
SM
MD
LG