Lidhje

Gratë afgane në OKB bëjnë thirrje për respektimin e të drejtave të tyre


Udhëheqëset afgane po u bëjnë thirrje vendeve anëtare të OKB-së që të bëjnë presion ndaj talebanëve që ata të mbajnë premtimet e të lejojnë gratë të punojnë dhe vajzat të studiojnë. Aktualisht vajzat në Afganistan gëzojnë vetëm të drejtën për të ndjekur shkollën fillore.

Lërini vajzat të mësojnë. Kjo ishte kërkesa e grave udhëheqëse afgane që jetojnë në mërgim, të cilat folën në Kombet e Bashkuara këtë javë.

Gratë afgane në OKB bëjnë thirrje për respektimin e të drejtave të tyre
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:36 0:00

Naheed Farid ka qenë deputete në parlamentin afgan.

“Janë bërë më shumë se 34 ditë që vajzave afgane u ndalohet të ndjekin shkollën e mesme. Vrasjet pa gjyq, ekzekutimet publike, spastrimet etnike, gjymtimet, vrasjet masive po ndodhin në Afganistan ndërsa ne po flasim”, tha ajo.

Që kur talebanët morën pushtetin në Afganistan në fund të gushtit, gratë afgane kanë kërkuar përmes protestave që grupi islamik t'i lejojë ato të kthehen në vendet e punës dhe t'i lënë vajzat të kthehen në shkollë, siç ishte premtuar.

Deri më tani, talebanët kanë lejuar një numër shumë të kufizuar të grave të punojnë, si mamitë dhe infermieret, dhe kanë thënë se do t'i lejojnë vajzat të kthehen në shkollë "në përputhje me ligjin e Sheriatit".

Në takimin special të Kombeve të Bashkuara të enjten, ministri britanik për çështjet e OKB -së, Tarik Ahmad, kishte një mesazh për talebanët.

"Më lejoni t'u drejtohem talebanëve drejtpërdrejt: islami siguron të drejtat e grave. Nuk i mohon ato. Feja islame thotë se duhet të ketë arsim për të gjithë, jo vetëm për djemtë, por edhe për vajzat. Feja islame flet për fuqizimin e të gjitha komuniteteve, mbrojtjen e pakicave, dhe jo shtypjen e tyre", tha ai.

Gratë afgane duan të jenë të përfshira në debatin mbi të ardhmen e vendit, thotë Asila Wardak nga Rrjeti i Grave Afgane.

"Ju lutem mos flisni për mua në këto diskutime. Krijoni hapësira për mua dhe udhëheqëset e tjera afgane për të folur drejtpërdrejt me talebanët. Kjo është mënyra se si i përfshini në mënyrë kuptimplotë gratë në procesin e paqes dhe sigurisë, si dhe në projektet e ndihmës humanitare. Na jepni një ulëse në tryezën e diskutimeve. Mos na lini jashtë, në korridor", tha ajo.

Në OKB, disa gra udhëheqëse afgane paralajmëruan për situatën e rëndë humanitare në atdheun e tyre dhe thanë se gratë nuk duhet të jenë vetëm përfituese të ndihmës, por edhe udhëheqëse në shpërndarjen e tyre.

"Është e domosdoshme që OKB-ja të kërkojë mbrojtjen dhe përfshirjen e grave në çdo fazë të shpërndarjes së ndihmave humanitare. Nga planifikimi deri te zbatimi dhe marrja e tyre", tha Fawzia Koofi, ish deputete e parlamentit të Afganstanit.

Tani për tani, vajzave u lejohet të ndjekin shkollën fillore në Afganistan, dhe në shumë raste, mësuesve nuk u janë dhënë pagat për dy muaj.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG