Lidhje

Sudan: Vazhdojnë protestat pasi ushtria merr kontrollin e vendit


Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të mbajë një takim me dyer të mbyllura të martën për të diskutuar mbi rrëzimin e qeverisë kalimtare të Sudanit nga ushtria.

Protestuesit vazhduan të dilnin në rrugët e kryeqytetit të Sudanit, Kartum për të protestuar kundër arrestimit të hënën të kryeministrit Abdalla Hamdok dhe zyrtarëve të tjerë të Këshillit Sovran në pushtet.

Komandanti më i lartë ushtarak, gjenerali Abdel-Fattah Burhan shpalli një emergjencë kombëtare disa orë pas marrjes së kontrollit dhe njoftoi shpërndarjen e këshillit të përbashkët civilo-ushtarak, i cili kishte drejtuar vendin që nga gushti 2019, menjëherë pas përmbysjes së presidentit autokratik Omar al- Bashir.

Në një fjalim televiziv, gjenerali Burhan tha se ai shpërndau këshillin dhe qeverinë për shkak të "mosmarrëveshjeve politike, që po kërcënonin sigurinë e vendit" dhe njoftoi se një "qeveri e re teknokratësh do të emërohet së shpejti".

Ai premtoi se ushtria do t'ia dorëzonte pushtetin një qeverie civile në korrik 2023, kur të mbahen zgjedhjet e përgjithshme.

Komiteti i Mjekëve të Sudanit tha se të paktën katër persona u vranë dhe të paktën 80 të tjerë u plagosën të hënën, kur forcat e sigurisë hapën zjarr ndaj demonstruesve në Kartum.

Megjithë dhunën, protestuesit dolën sërish në rrugët e Kartumit të martën, duke denoncuar grushtin e shtetit dhe duke thirrur "jo sundimit ushtarak".

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Sudan i ka paralajmëruar amerikanët në vend që të mos dalin nga shtëpitë.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, Bashkimi Afrikan dhe Lidhja Arabe ishin mes atyre që shprehën alarmin dhe shqetësimin të hënën për ngjarjet e fundit në Sudan dhe i kërkuan vendit të qëndrojë në rrugën drejt sundimit civil.

Shtëpia e Bardhë tha se është "e alarmuar" nga zhvillimet, ndërsa Departamenti i Shtetit tha se po pezullonte 700 milionë dollarë ndihmë financiare për vendin.

Një deklaratë e përbashkët e lëshuar nga Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Norvegjia përmes Departamentit të Shtetit dënonte grushtin e shtetit dhe u bënte thirrje forcave të sigurisë që të lirojnë menjëherë të gjithë ata që janë "arrestuar në mënyrë të paligjshme".

Kryeministri Hamdok, një ekonomist dhe diplomat, që kishte punuar për OKB-në, u emërua kryeministër kalimtar i vendit në gusht 2019. Tranzicioni fitoi mbështetje të fortë nga vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara, të cilat e hoqën Sudanin nga lista e mbështetësve të terrorizmit.

Por zoti Hamdok ishte përballur me rezistencë të ashpër nga elementë të ushtrisë sudaneze.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG