Lidhje

Ministri i Mbrojtjes i Tajvanit: Duhet të jemi të përgatitur për t'u vetëmbrojtur


Ministri i Mbrojtjes i Tajvanit Chiu Kuo-cheng tha të enjten se Taipei duhet të jetë i përgatitur për t'u vetëmbrojtur dhe nuk mund të varet plotësisht nga vendet e tjera për ndihmë nëse Kina do të niste një sulm kundër ishullit.

Tensionet mes Tajvanit dhe Kinës janë rritur në nivelin e tyre më të lartë prej dekadash. Pekini ka nisur një numër rekord avionësh luftarakë drejt hapësirës ajrore ndërkombëtare në afërsi të ishullit, duke përforcuar një fushatë trysnie ushtarake.

Sipas ministrit të Mbrojtjes e Tajvanit, deri në vitin 2025 Kina do t’i ketë zhvilluar aftësitë ushtarake në përmasa të tilla që mund ta pushtojë ishullin.

Kur kolegët e ministrisë së mbrojtjes bëjnë analiza mbi lëvizjet e shumta të Kinës u duhet të grumbullojnë të dhëna. Disa nga veprimet e saj janë të vazhdueshme, ato nuk do të ndalen papritur. Pra unë mendoj se rreth Tajvanit nuk do të shohim një qetësim të dukshëm (të situatës) së shpejti. Kjo nuk do të jetë aq e lehtë”, tha ai.

Kina pretendon se Tajvani është pjesë e territorit të saj, megjithëse ishulli është vetëqeverisur që nga koha kur u nda nga kontinenti i sunduar nga komunistët në vitin 1949, pas një lufte të gjatë civile.

Ministri i Mbrojtjes i Tajvanit i ka quajtur tensionet në rritje mes Kinës dhe Tajvanit si më "të fortat" që ka parë në 40 vjet.

XS
SM
MD
LG