Lidhje

Presidenti Biden për marrëveshjen që la jashtë Francën: Nuk u veprua me shumë hir


Gjatë takimit në ambasadën franceze në Vatikan (29 tetor 2021)

ROMË - Presidenti Joe Biden e filloi turin e tij intensiv diplomatik në Evropë me një ton pajtues, duke thënë të premten se njoftimi për marrëveshjen e sigurisë mes Shteteve të Bashkuara, Britanisë dhe Australisë, që la jashtë aleaten e hershme, Francën, ishte "e rrëmujshme".

"Ajo çfarë ndodhi, për të përdorur një frazë të anglishtes - ajo çfarë bëmë ishte e rrëmujshme", tha Presidenti Biden. "Nuk u veprua me shumë hir", pranoi ai, ndërsa qëndronte përkrah Presidentit francez Emanuel Macron në Romë, përpara zhvillimit të takimit të G-20ës. Të dy udhëheqësit biseduan me gazetarët, pas takimit dypalësh të përzgjedhur qartazi për t'u zhvilluar në Villën Bonaparte, Ambasadën Fracenze në Vatikan, dhe jo në një mjedis neutral.

Marrëveshja AUKUS e sigurisë për rajonin Indo-Paqësor i siguron Australisë nëndetëse amerikane që funksionojnë me energji bërthamore. Por, blerja e nëndetëseve amerikane për Kanberran do të thoshte se duhej të anullonte marrëveshjen e arritur më parë prej 65 miliardë dollarësh me Parisin për nëndetëse tradicionale.

Pasojat diplomatike ishin të shpejta: Parisi tërhoqi përkohësisht ambasadorët nga Uashingtoni dhe Kanberra, duke thënë se nuk u konsultuan paraprakisht për marrëveshjen AUKUS.

"Më ishte krijuar përshtypja që Franca ishte informuar kohë përpara, se marrëveshja nuk do të realizohej", tha Presidenti Biden të premten. "I sinqertë përpara Zotit, nuk e dija se nuk ishit informuar".

Ky lëshim modest ka rëndësi, thotë Leslie Vinjamuri, drejtore e programit për Shtetet e Bashkuara në organizatën Chatham House.

"Është shumë e qartë se Biden dhe Macron kanë shumë për të humbur dhe dëshirojnë që kjo marrëdhënie të funksionojë", tha ajo. "Prandaj po gjejnë mënyra për të dërguar sinjale të tilla, përfshirë në këtë rast një pranim që pothuajse merr formën e një ndjese".

Presidenti Biden u angazhua më herët të mbështesë Francën në përpjekjet e saj kundër terrorizmit në rajonin afrikan Sahel, ku paqëndrueshmëria po shkakton valë të tjera emigrantësh afrikanë drejt Evropës.

"Qartazi, Shteteve të Bashkuara iu desh të merrnin një vendim të vështirë se si të ndërvepronin me Francën përpara kësaj vendimmarrjeje, dhe përfundimisht partneriteti AUKUS qëndron dhe Franca ka mbetur jashtë", thotë zonja Vinjamuri.

Takimet e tjera

Më herët, Presidenti Biden që mbërriti të premten në Itali për takimin e G-20-ës, u takua për bisedime me kryeministrin italian Mario Draghi.

Shtëpia e Bardhë tha se takimi rikonfirmoi marrëdhëniet e forta dypalëshe SHBA-Itali dhe se Presidenti Biden falënderoi kryeministrin italian për udhëheqjen e tij personale të G20 gjatë një viti sfidash globale.

Udhëheqësit diskutuan mbi sfidat e sigurisë në rajonin e Mesdheut dhe rikonfirmuan rëndësinë e përpjekjeve të NATO-s për të frenuar dhe për t’u mbrojtur ndaj kërcënimeve nga çdo drejtim strategjik.

Ata përsëritën angazhimin e tyre të palëkundur ndaj marrëdhënieve dypalëshe dhe ndaj lidhjes transatlantike, përfshirë NATO-n, si edhetheksuan rëndësinë e partneritetit SHBA-BE.

Zoti Biden u takua gjithashtu me Presidentin italian Sergio Mattarella.

Ai e filloi udhëtimin pesë-ditor evropian me një vizitë në Vatikan për të takuar Papa Françeskun.

Takimi u cilësua si një audiencë personale e politike e që i paraprin samitit të udhëheqësve të G-20-s lidhur me çështje ekonomike e globale, ndjekur nga një tjetër takim i nivelit të lartë mbi ndryshimet klimatike, që do të mbahet në Glasgou të Skocisë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG