Lidhje

Taksa minimale globale dhe përgatitjet për pandemitë diskutohen në takimin e G-20-ës 


Në takimin e G-20-ës që po zhvillohet në Romë këtë fundjavë udhëheqësit e ekonomive më të mëdha të botës po diskutojnë çështje me interes të përbashkët, duke përfshirë rimëkëmbjen nga pandemia dhe ndryshimet klimatike. Në takim u diskutua edhe për vendosjen e një takse minimale globale.

Kryeministri italian Mario Draghi mirëpriti Presidentin amerikan Joe Biden dhe udhëheqësit e tjerë të ekonomive më të mëdha të botës në takimin e G-20-ës në Romë.

"Me trajtimin e përbashkët të sfidave tona ne e bëjmë më të qartë se multilateralizmi është përgjigja më e mirë për problemet me të cilat përballemi sot", tha kryeministri italian.

Udhëheqësit e G-20 mbështetën një marrëveshje gjithëpërfshirëse globale të taksave të arritur nga 136 ministra të financave në fillim të këtij muaji, e cila përfshin një normë tatimore globale minimale prej 15% për kompanitë me të ardhura vjetore prej më shumë se 870 milionë dollarë. Taksa duhet të zbatohet brenda kuadrit ligjor të çdo vendi anëtar.

“Kam besim se Shtetet e Bashkuara dhe vendet në mbarë botën që kanë nënshkruar këtë marrëveshje tani do të kërkojnë ta zbatojnë atë me shpejtësi dhe me mirëbesim. Por, kjo tani është një çështje e proceseve të brendshme juridike në të gjitha vendet që e kanë nënshkruar atë", tha Mathias Cormann, Sekretar i Përgjithshëm i Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD).

Për Covid-19, ministrat e shëndetësisë dhe financave të G-20-ës njoftuan formimin e një komisioni të ri për të përmirësuar gatishmërinë për pandemitë e ardhshme, të propozuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Indonezia, por nuk specifikuan financimin për të.

Në një takim mes kancelares gjermane Angela Merkel, presidentit francez Emmanuel Macron dhe kryeministrit britanik Boris Johnson u theksua mbështetja për premtimin e Presidentit Biden për të kthyer Shtetet e Bashkuara tek marrëveshja bërthamore me Iranin, nëse Teherani bën të njëjtin hap. Bisedimet për këtë çështje janë planifikuar për në nëntor.

"Natyrisht, ne shpresojmë që Irani të kthehet në tryezën e bisedimeve. Megjithatë, koha po kalon dhe pasurimi i uraniumit po vazhdon në Iran", tha kancelarja gjermane Angela Merkel.

Ky është takimi i parë jo-virtual i G-20-ës në dy vjet. Në takim u vërejt dukshëm mungesa e Presidenti kinez Xi Jinping dhe Presidentit rus Vladimir Putin, të cilët morën pjesë në takim virtualisht, duke cituar shqetësimet për pandeminë në vendet e tyre.

"Pavarësisht vendimeve të G-20-ës, jo të gjitha vendet që kanë nevojë mund të kenë qasje në vaksinat e koronovirusit. Kjo ndodh pjesërisht për shkak të konkurrencës së pandershme, proteksionizmit dhe sepse disa shtete, veçanërisht ato të G-20-ës, nuk janë të gatshme për njohjen reciproke të vaksinave dhe çertifikatave të vaksinimit”, tha presidentit rus Vladimir Putin.

Aktivistët marshuan nëpër rrugët e Romës, duke protestuar kundër mungesës së veprimeve nga udhëheqësit e vendeve të G-20-ës në trajtimin e ndryshimeve klimatike, që po diskutohet sot, përpara se udhëheqësit botërorë të vazhdojnë diskutimet për këtë çështje në konferencën e OKB-së për klimën në Skoci.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG