Lidhje

Kosovë, rritja e çmimeve të produkteve thelbësore


Në Kosovë sipas Agjencisë së Statistikave në muajin shtator është shënuar ngritje e çmimeve të konsumit të përditshëm deri në afro 30 për qind, duke nxitur shqetësimin e qytetarëve, të ardhurat e të cilëve mbeten të pandryshuara. Qeveria paralajmëroi hartimin e masave ndihmëse për qytetarët, derisa ekonomistët thonë se duhet të kërkohen zgjidhje afatgjate ndërsa pritet ngritje e mëtejme e çmimeve.

Kosovë, rritja e çmimeve të produkteve thelbësore
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:20 0:00

Qeveria e Kosovës paralajmëroi gjatë javës që po lëmë pas një paketë ndihme për qytetarët e vendit që po përballen me ngritje çmimesh të konsumit të përditshëm. Në tregun e pemëve dhe perimeve në Prishtinë, Zeqir Koskoviku po fliste me shqetësim për të ardhmen e familjeve me të ardhura të ulta, përballë çmimeve në ngritje.

“Janë rritur çmimet sepse janë pagat e vogla dhe është mungesë për njerëzit që nuk kanë. Pagat e vogla, kallaballëk nëpër familje dhe nuk mbërrihen gjërat, vështirë është të jetosh kështu”, thotë ai.

Edhe shitësi Rashit Berisha është i shqetësuar me çmimet që kanë ulur fuqinë blerëse.

“Ja gjërat nga fshati të gjtha kanë mbetur pa shitur dhe nuk vjen askush t’i marrë, katastrofë, çfarë të bëjmë. Nuk ka kush t’i blejë, është lodhur populli, nuk ka para”, thotë ai.

Ibish Asllani nga Agjencia e Statistikave të Kosovës tha në një bisedë me Zërin e Amerikës se shkalla e inflacionit është ngritur në 4..9 për qind në krahasim me një vit më parë.

“Vajrat dhe yndyrërat ushqimore kanë shënuar ngritje për 28.2 për qind, pastaj ngritje tjetër ka te derivatet e naftës për 26.2 për qind, ngritje të çmimeve të perimeve për 19.7 për qind, ka pasur ngritje të çmimit të transportit personal e të disa shërbimeve që kanë ndikuar në këtë normë të inflacionit”, tha ai.

Zoti Asllani thotë se pritet rritje e konsiderueshme e çmimeve.

“Tani jemi në përfundim të matjes së çmimeve për muajin tetor, po mbledhim çmimet dhe ka indikacione se ka ngritje të çmimeve gati te të gjitha produktet. Ka ngritje të çmimeve të miellit, ka lëvizje të çmimeve të bukës, vezëve, kafesë, sheqerit”, tha zoti Asllani.

“Kjo sigurisht do ta ketë efektin negativ edhe sa i përket periudhës së rimëkëmbjes pas pandemisë, e cila ka qenë një mundësi për të marrë një ritëm sadopak më të qëndrueshëm të rritjes ekonomike edhe të kthimit në normalitet. Sigurisht ky inflacion i cili ende nuk është në një shkallë shqetësuese, megjjthatë është në një shkallë që e ndikon koston e jetesës për secilin nga ne dhe ndikon koston e operimit për secilin biznes do t’i ketë efektet e veta negative”, thotë Berat Rukiqi nga Oda Ekonomike e Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha gjatë javës se situata është pasqyrim i zhvillimeve në shkallë botërore.

“Pasojat e pandemisë COVID-19 në ekonominë globale po e prekin edhe Kosovën duke ndikuar në ngritjen e çmimeve të shumë produkteve thelbësore. Gjithsesi kjo rritje me ritëm shumë të shpejtë u ndikua nga berza botërore e cila ndikoi edhe në shtetet më të zhvilluara. Rritja e çmimt të energjisë elektrike që është burim i energjisë së produkteve industriale nxiti edhe ngritjen e çmimit të vajit, sheqerit, drithërave, mishit dhe produkteve të qumshtit”, tha ai.

Kryeministri Kurti, tha se qeveria e tij do të hartojë një paketë masash për të ndihuar qytetarët përballë situatës së re. Por, ekonmistët theksojnë se skemat sociale nuk janë zgjidhje afatgjate.

Zoti Rukiqi thotë se qeveria duhet të shkojë përtej ndihmës.

“Normalisht roli parësor i qeverisë është të kujdeset për shtresat sociale, e mirëkuptoj në këtë aspekt por nuk duhet të ndalet me kaq, duhet të shihet komplet konjuktura e ekonomisë. Nuk është krizë e cila do t’i ketë efektet vetëm tre apo gjashtë muaj por do të ketë pasoja, të disa sektor pasoja afatgjate si në ndërtimtari dhe prodhim dhe ne duhet të mendojmë edhe për pjesën e bizneseve, pra komplet hallkën edhe për qytetarët”, tha ai.

Zoti Rukiqi tha se prodhimet vendëse do të ofronin çmime më të lira dhe qeveria duhet të kujdeset për të ofruar lehtësi për to në një periudhë kur bota po përballet me pasojat ekonomike të periudhëspas pandemike.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG