Lidhje

Gara për guvernator të Virxhinias dhe ndikimi tek zgjedhjet për Kongresin


Sondazhet tregojnë një garë të ngushtë mes kandidatit republikan për guvernator të Virxhinias, Glenn Youngkin dhe demokratit Terry McAuliffe. Këto zgjedhje pritet të vënë në provë strategjinë e republikanëve për të joshur të moderuarit që jetojnë në periferi, por pa larguar ata që përfaqësojnë linjën e ashpër, e që mbështesin Donald Trump-in.

Nëse Glenn Youngkin, ish-shefi ekzekutiv i një prej firmave më të mëdha të kapitalit privat në vend fiton të martën, qasja e tij për të siguruar mbështetjen e atyre prindërve që janë kundër mënyrës se si shkollat e kanë trajtuar COVID-19 dhe çështjen e racizmit, mund t’i shërbejë si një model republikanëve në mbarë vendin, në synimet e tyre për të siguruar shumicën në Kongres në zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Partia që fiton në zgjedhjet e vitit 2022 do të kontrollojë Kongresin gjatë dy viteve të fundit të mandatit të Presidentit Joe Biden.

Në sondazhet e mesit të muajit gushtit zoti McAuliffe kryesonte ndaj zotit Youngkin me pesë për qind, por gjatë ditëve të fundit diferenca mes dy kandidatëve është e ngushtuar shumë dhe ata janë pothuajse me pikë të barabarta, sipas sondazheve të qendrës “Real Clear Politics”. Gjatë të njëjtës periudhë, mbështetja ndaj Presidentit Biden ra nga 50 për qind në pak më shumë se 40 për qind.

Glenn Youngkin, 54 vjeç, është përpjekur të ruajë një balancë lidhur me me pretendimet e rreme të ish-Presidentit Trump se humbja e tij në zgjedhjet e vitin 2020 ishte si rezultat i manipulimit të votave. Ndërsa ai vetë e ka shmangur këtë temë, ka patur përkrahë në fushatën e tij senatoren e shtetit, republikanen Amanda Chase, e cila i ka përqafuar këto qëndrime.

Ai gjithashtu ka mbështetur fushatat republikane që thonë se kurrikulat shkollore që diskutojnë racizmin po u japin zë "teorive kritike mbi racën", një koncept i shkollës juridike që thotë se racizmi është i rrënjosur në ligjet dhe institucionet amerikane dhe se trashëgimia lidhur me skllavërinë dhe ndarjet racore, kanë krijuar kushte të pabarabarta për afro-amerikanët.

Institucionet shkollore thonë se ato nuk e kanë përfshirë këtë teori në kurrikulat e shkollave fillore e të mesme, por po përpiqen t'i përgjigjen nevojave të një popullsie gjithnjë e më të larmishme në vend.

Gara shihet si mjaft e rëndësishme edhe nga demokratët, ndaj dhe në javët e fundit Presidenti Joe Biden dhe ish-Presidenti Barack Obama kanë vizituan shtetin për të bërë fushatë për zotin McAuliffe. Virxhinia ka zgjedhur vetëm një guvernator republikan në dy dekadat e fundit dhe demokratët aktualisht kontrollojnë të dyja dhomat e organit legjislativ shtetëror.

Nëse 64 vjeçari Terry McAuliffe fiton, ai do të rrimarë të njëjtën pozitë që mbajti nga viti 2014 deri në 2018. Ligjet e këtij shteti i ndalojnë guvernatorët të shërbejnë në mandate të njëpasnjëshme.

Shkollat në qendër

Shkollat kanë qenë tema kryesore në fushatën e zotit Youngkin, i cili kundërshton masat e sigurisë lidhur me COVID-19 që u kërkojnë nxënësve të vendosin maska në klasë, si dhe mënyrën se si trajtohen çështjet e racizmit në shkolla. Këtë vit në mbledhjet e bordit të shkollave ka patur përplasje me aktivistët mbi çështjet e racizmit, duke bërë që FBI-ja të përshpejtojë reagimin e saj lidhur me kërcënimet ndaj anëtarëve të bordit.

"Ata i detyrojnë fëmijët tanë ta shohin gjithçka përmes optikës së racizmit", tha zoti Youngkin gjatë një ndalesë në Çesterfilld të Virxhinias, më 8 tetor në kuadër të fushatës.

Ish-shefi ekzekutiv i grupit “Carlyle”, Glenn Youngkin është angazhuar gjithashtu të jetë i ashpër ndaj krimit, si dhe ka trajtuar një sërë çështjes që sipas vëzhguesve janë me interes si për mbështetësit e zotit Trump, ashtu edhe të moderuarit.

Muajin e kaluar zoti Youngkin tha se ishte "e çuditshme dhe e gabuar" që disa njerëz, në një tubim në mbështetje të tij, u zotuan për besnikëri ndaj një flamuri të mbajtur nga mbështetësit e zotit Trump në sulmin e dhunshëm të 6 janarit në Kapitol. Vetë zoti Youngkin nuk mori pjesë në tubim, ku ish-presidenti u “shfaq” përmes një thirrjeje telefonike, duke folur me tone të ngrohta për kandidatin republikan.

Disa media amerikane kanë njoftuar se zoti Trump pritet të shkojë në një tubim në Virxhinia të hënën.

Zoti McAuliffe është përpjekur ta lidhë ngushtë zotin Youngkin me zotin Trump, duke shfaqur reklama televizive që i krahasojnë thirrjet e tij për të garantuar zgjedhje më të sigurta, me imazhet e zotit Trump dhe sulmin e dhushëm ndaj Kapitolit.

"Ai po kërkon të sjellë politikën e Donald Trump-it në Virxhinia", tha zoti McAuliffe gjatë një debati me zotin Youngkin më 28 shtator. “Ai po përpiqet të vijë këtu në Virxhinian Veriore e të pretendojë se është i moderuar, por nuk është", shtoi

XS
SM
MD
LG