Shkencëtarët kanë bërë paralajmërime të ashpra se mos arritja e një marrëveshjeje për shkurtime shumë më të thella në emetimet e gazeve që shkaktojnë efektin serrë do të rezultojë në ndryshime katastrofike dhe të pakthyeshme të klimës. Por, shpresat tashmë po zbehen se konferenca e OKB-së për klimën në Skoci do të rezultojë me një marrëveshje të re për të shpëtuar planetin.
Sallat e konferencave në Glasgou janë zyrtarisht zonë e Kombeve të Bashkuara për dy javët e ardhshme ndërsa udhëheqësit botërorë janë mbledhur për të shpëtuar planetin.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres lëshoi një paralajmërim të fortë.
“T’i japim fund vrasjeve me karbon. Nuk duhet ta trajtojmë natyrën si një banjë. Të ndalim djegiet, shpimet dhe gërmimet e thella minerale. Ne po gërmojmë varret tona”, tha ai.
A do të merret parasysh ky paralajmërim? Mbi 120 udhëheqës botërorë po marrin pjesë në konferencën e OKB-së, disa duke mbrojtur angazhimin e tyre për klimën, të tjerët duke paraqitur premtime të reja për të frenuar emetimet.
India është ndotësi i tretë më i madh në botë. Shpresat ishin të mëdha që kryeministri Narendra Modi të paraqiste plane të reja për të ulur emetimet.
"Deri në vitin 2070, India do të arrijë objektivin e nivelit zero të emetimeve", tha ai.
Kjo datë është 20 vjet më vonë se objektivi i OKB-së për vitin 2050, një zhgënjim i madh për shumë aktivistë të klimës. Fokusi nuk është vetëm në premtimet e bëra, por edhe tek ata që nuk po marrin pjesë në konferencën e OKB-së për klimën në Glasgou.
Xi Jinping, Presidenti Kinës, emetuesi më i madh në botë i gazit karbonik, nuk do të marrë pjesë në takim. Ai ofroi vetëm një deklaratë me shkrim dhe nuk bëri asnjë premtim të ri të rëndësishëm për të ulur emetimet.
“Zyrtarët kinezë mund të mos kenë ardhur në këtë takim ndoshta sepse ata nuk kanë shumë për të ofruar. Dhe ndoshta ata do të preferonin të shmangnin presionin e takimit për klimën, ky mund të jetë realiteti”, tha shefi për klimën i Fondit Botëror për Kafshët e Egra, Manuel Pulgar-Vidal.
Vladimir Putin, Presidenti i Rusisë, emetuesi i katërt më i madh në botë i gazit karbonik, gjithashtu nuk po merr pjesë në takim. Mes aktivistëve të klimës, zhgënjimi është tashmë i dukshëm.
“Kjo konferencë për klimën është deri tani e ngjashme me konferencat e mëparshme dhe kjo nuk na ka çuar askund. Ato nuk na kanë çuar askund”, tha aktivistja për klimën, Greta Thunberg.
Por të tjerë thonë se takimi për klimën nuk duhet nënvlerësuar.
“Mendoj se është një gjë e mirë që më në fund të kemi një vizion kolektiv për botën që askush nuk e vë në dyshim. Por, tani ne duhet të kemi veprime më të qarta, jo vetëm objektiva, por veprime më të qarta”, thotë Manuel Pulgar-Vidal.
Në çdo takim për klimën, udhëheqësit botërorë kanë premtuar objektiva ambicioze për të ulur emetimet. Mesazhi i këtij takimi është se ka ardhur koha për t'i kthyer ato premtime në politika konkrete.
Facebook Forum