Lidhje

Feltman: Ushtria e Sudanit tregoi përmbajtje në protestat kundër grushtit të shtetit


Jeffrey Feltman
Jeffrey Feltman

Një zyrtar amerikan tha të martën se ushtria sudaneze tregoi përmbajtje gjatë protestave kundër grushtit të shtetit që u zhvilluan të shtunën, dhe se veprimet e tyre rritën mundësinë e kthimit të vendit në një marrëveshje për ndarjen e pushtetit.

Jeffrey Feltman, i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Bririn e Afrikës, i bëri këto komente gjatë një konference telefonike nga Uashingtoni, pavarësisht nga vrasja e tre protestuesve nga ushtria sudaneze.

Ai tha se numri i të vdekurve ishte "shumë i madh", por shtoi se "në përgjithësi... forcat e sigurisë treguan vetëpërmbajtje dhe zbatuan detyrimet e tyre për të respektuar të drejtat e njeriut". Ai vuri në dukje se numri i të vdekurve nuk ishte më i lartë sepse protestuesit nuk iu afruan vendeve të ndjeshme ushtarake.

"Ju patë provat nga sjellja ndaj protestuesve se sudanezët e kuptojnë se duhet të dalin nga kjo krizë", tha Feltman.

"Unë mendoj se kjo tregoi se vetë populli sudanez e kupton që ata duhet të jenë të kujdesshëm dhe të gjejnë një mënyrë për t'u kthyer në partneritetin civilo-ushtarak që kërkon ky tranzicion", tha zoti Feltman.

Shtetet e Bashkuara u bënë thirrje udhëheqësve ushtarakë të grushtit të shtetit të 25 tetorit në Sudan që të përmbahen nga "çdo lloj dhune" kundër protestuesve paqësorë një ditë përpara protestave "marshimi i miliona njerëzve" në të cilat u bë thirrje për kthimin e pushtetit civil.

Komisioni Qendror i Mjekëve Sudanezë tha se forcat e sigurisë qëlluan për vdekje tre protestues në qytetin e Omdurmanit dhe se 38 persona u plagosën, disa nga të shtënat me armë zjarri.

Shefi ushtarak sudanez, gjenerali Abdel-Fattah al-Burhan tha se rrëzimi nga ushtria i qeverisë kalimtare të vendit ishte i nevojshëm për të shmangur një luftë civile.

Zoti Feltman i kërkoi përsëri gjeneralit të rivendoste qeverinë civile dhe të lirojë kryeministrin Abdalla Hamdok nga arresti shtëpiak, duke thënë se ushtria nuk mund të mbajë pushtetin pa ndihmën e huaj, si ndihma amerikane prej 700 milionë dollarësh që është pezulluar nga Uashingtoni.

"Unë mendoj se ushtria do ta kuptojë se ata kanë nevojë për llojin e mbështetjes ndërkombëtare që u jepej autoriteteve në tranzicion", tha zoti Feltman.

Marrja e kontrollit nga ushtria ndodhi pas përshkallëzimit disa javor të tensioneve midis udhëheqësve ushtarakë dhe civilë mbi tranzicionin e Sudanit drejt demokracisë. Grushti i shtetit kërcënoi të dëmtonte procesin, i cili kishte përparuar ngadalë që nga rrëzimi i autokratit Omar al-Bashir në një kryengritje popullore në vitin 2019.

XS
SM
MD
LG