Lidhje

Kosovë: sfidat në reformimin e sistemit të drejtësisë


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha të mërkurën se vetingu në sistemin e drejtësisë është i domosdoshëm për të ofruar qasjen në drejtësi për qytetarët e vendit dhe kthimin e besimit të tyre në këtë sistem.

Ai i bëri këto komente në takimin e parë të grupit punues për hartimin e ndryshimeve kushtetuese të nevojshme për këtë proces.

Kosovë: sfidat në reformimin e sistemit të drejtësisë
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:54 0:00

“Përgjigja ndaj defekteve e dështimeve të tilla për drejtësinë është vetingu. Vetingu do të sigurojë vlerësimin e mirëfilltë dhe profesional të integritetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, të performancës dhe të profesionalizmit të tyre si dhe do të verifikojë pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, tha ai.

Por, Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, tha në një bisedë me Zërin e Amerikës se takimi i sotëm ishte i parakohshëm.

“Është e domosdoshme që partia në pushtet e në këtë rast lëvizja Vetëvendosje para takimeve të tilla të ketë konsultime e debat konstruktiv me partitë politike opozitare duke përfshirë komunitetet jo shumicë në Kosovë m, duke e ditur që për votimin e amandamenteve kushtetuese nevojiten 80 vota të deputetëve të kuvendit, përfshirë së paku dy të tretat e votave të komuniteteve jo shumicë. Në anën tjetër grupi punues sot nuk pamë se kishte përfaqësues nga opozita ose komunitetet jo shumicë në Kosovë”, tha zoti Miftaraj.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se gjatë ditëve në vazhdim do të takohet me përfaqësues të partive parlamentare për t’u bashkërenduar lidhur me reformimin e sistemit të drejtësisë.

“Dje u kam dërguar ftesë të gjitha grupeve parlamentare me qëllim të arritjes së konsensusit politik për reformën në drejtësi, kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme. Unë pres që gjatë këtyre ditëve dhe javës së ardhshme të takohem me secilin grup parlamentar. Po ashtu koncept dokumentin e kemi dërguar edhe në Komisionin e Venecias dhe kemi marrë përgjigje pozitive që i njejti do të trajtohet dhe do të na kthehet përgjigje nga Komisioni i Venecias”, tha zonja Haxhiu.

Zoti Miftaraj tha se një proces i tillë është i domosdoshëm për t’u dhënë fund problemeve shumë vjeçare të sistemit të drejtësisë në Kosovë, por qeveria e Kosovës duhet të sigurojë mbështetje të plotë ndërkombëtare për këtë çështje.

“Sistemi i drejtësisë është pothuajse në gjendjen më të mjerë të mundshme. Edhe raporti i progresit për këtë vit e dëshmon që Këshilli Gjyqësor dhe Prokurorial i Kosovës janë pothuajse pa pikë integriteti, kanë mungesë të llogaridhënies, mungesë të transparencës, mungojnë rezultatet në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, konfiskimit të pasurisë së fituar përmes veprave penale, pra një raport që identifikon problemet që i kemi së paku në pesë apo gjashtë vitet e fundit. Nëse nuk do të ketë një veting të bazuar thjeshtë në të mirë të qytetarëve atëherë kjo agoni do të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme”, tha ai.

Në tetor të këtij viti qeveria e Kosovës miratoi koncept dokumentin për vetingun në drejtësi, përmes të të cilit synohet forcimi i sundimit të ligjit në vend.

Organizatat e shoqërisë civile që vëzhgojnë sistemin e drejtësisë në Kosovë, thonë se me gjithë përmirësimet në legjislacion, lufta kundër korrupsionit në praktikë ka shënuar ngecje dhe se sipas tyre sfida kryesore mbetet mosndëshkimi i zyrtarëve të profilit të lartë të përfshirë në raste të korrupsionit si dhe lidhjet e ndikimi tyre mbi prokurorët dhe gjyqtarët. Këto dhe arsye të tjera, thonë ata, e bëjnë vetingun proces thelbësor për fillimin e zbatimit të një reforme të thellë në drejtësi për të siguruar sundim të mirëfilltë të ligjit në Kosovë.

XS
SM
MD
LG