Në Glasgow të Skocisë po vazhdon punimet Konferenca e Kombeve të Bashkuara për Klimën, ndërkohë që pandemia e koronavirusit ka mbi një vit që po merr jetë njerëzish dhe shkakton dëme të mëdha ekonomike. Ndërsa vendet e pasura fillojnë rihapjen falë programeve të shpejta të vaksinimit, shumica e njerëzve në vendet në zhvillim ende po presin të marrin dozën e parë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgewell njofton nga konferenca për klimën në Glasgow të Skocisë se nëse mosbesimi mes vendeve të pasura dhe të varfra mund të pengojë negociatat për klimën.
Në shumicën e vendeve me të ardhura të larta, më shumë se 70% e popullsisë ka marrë të paktën një dozë vaksine. Por në vendet me të ardhura të ulëta, kjo shifër është më pak se 4%.
Robert Yates, Drejtor i Programit Global të Shëndetit në Chatham House, i tha Zërit të Amerikës se pabarazia është e theksuar.
“Të dhënat e fundit tregojnë se nëse ky nivel i pabarazisë së vaksinave mbetet i pandryshuar, pesë milionë njerëz do të vdesin vitin e ardhshëm.”
Në takimin e G-7 në qershor, udhëheqësit e vendeve më të pasura të botës u zotuan të ndajnë një miliard doza vaksinash me vendet më të varfra, gjysma e tyre nga Shtetet e Bashkuara. Në total, Shtetet e Bashkuara janë zotuar të japin 1.1 miliardë doza deri në vitin 2022.
Por nga ana tjetër, ndërsa shumë vende perëndimore po ofrojnë një dozë të tretë përforcuese, shumica e njerëzve në vendet në zhvillim ende presin të marrin dozën e parë.
Ndërsa vazhdojnë negociatat në konferencën në Glasgow për luftimin e ndryshimeve klimatike, besimi është i brishtë mes vendeve më të varfëra dhe më të pasura, thotë për Zërin e Amerikës zoti Yates.
“Shumë vende të varfra po ngrenë pikëpyetjen.....pse duhet të bashkëpunojnë lidhur me kërcënimet që paraqesin ndryshimet klimatike në të ardhmen kur vende te pasura aktualisht nuk po i ndihmojnë ato në shkallën e duhur për t’u përballur me rrezikun e menjëhershëm që mund të kërcënojë jetët e miliona njerëzve vitin e ardhshëm?”, thotë ai.
Organizatorët e konferencës për klimën ofruan vaksina falas për delegatët që nuk mund t'i merrnin ato në vendet e tyre. Por kostoja e lartë e udhëtimit, mungesa e dhomave në hotele dhe shqetësimet për shkallën e lartë të infeksionit në Britani bënë që disa pjesmarrës të mungonin në konferencë.
Musonda Mumba e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim zgjodhi të mos marrte pjesë në konferencën e klimës. Ajo foli për Zërin e Amerikës nga Nairobi.
“Ndryshimi i klimës nuk është vetëm çështje klimatike, është një çështje e drejtësisë klimatike. Çështjet e klimës dhe pandemisë janë të gërshetuara. Në pah kanë dalë herë pas here çështjet e besimit, ndjeshmërisë dhe transparencës. Konferenca për klimën do të jetë provë për botën.”
Shkencëtarët thonë se bota po përballet me dy emergjenca njëherësh. Pjesçmarrësit e konferencës e pranojnë se bota duhet të punojë së bashku për të trajtuar ndryshimet klimatike që kërcënojnë njerëzimin.
Por shumë nga delegatët e konferencës do të kthehen në vendet e tyre të goditura rëndë nga pandemia, me nevoja urgjente për vaksinat që shpëtojnë jetë.