Lidhje

Takimi i ri i nismës “Ballkani i Hapur”, pa Zoran Zaevin


Nga takimet e mëhershme në kuadër të nismës "Ballkani i Hapur"
Nga takimet e mëhershme në kuadër të nismës "Ballkani i Hapur"

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikola Dimitrov, ju bashkuan të mërkurën mbrëma presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në Beograd për takimin e radhës në kuadër të nismës rajonale “Ballkani i hapur”, që mbahet të enjten.

Nikola Dimitrov është në Beograd në këmbë të kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, i cili të dielën shpalli dorëheqjen për shkak të humbjes në zgjedhjet për pushtetin komunal.

Një darke të përbashkët dhe një shëtitjeje në Beograd i është bashkuar të mërkurën kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiç, i cili ndodhët për një vizitë në Serbi. Mali i Zi nuk është i bashkuar kësaj nisme sikurse as Bosnja dhe Kosova.

Kryeministri shqiptar Edi Rama, presidenti serb, Aleksandër Vuçiç dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, hodhën në tetor të vitit 2019 nismën me emrin “mini-shëngeni” Ballkanik, ndërsa në korrik të këtij viti i ndryshuan emrin në “Ballkani i Hapur”, një nismë për siç është thënë, vendosjen e lëvizjes së lirë për njerëzit, mallrat e shërbimet ndërmjet vendeve të rajonit.

As ndryshimi i emrit, nuk e ndryshoi qëndrimin e qeverisë së Kosovës e cila nuk pajtohet me nismat që mund të duken si zëvendësim i proceseve integruese evropiane.

Nisma ndërkaq është mbështetur nga diplomatët perëndimorë. Ditë më parë gjatë një dëgjimi në Kongres, zv/ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore, Gabriel Escobar, tha se Shtetet e Bashkuara mbështesin të gjitha nismat që afrojnë vendet ekonomikisht.

“Udhëheqësit e tre vendeve (Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut) që e kanë hedhur nismën për Ballkanin e Hapur, na kanë siguruar se është e hapur për të gjitha gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe ne u besojmë. Në fakt nuk mund të ketë sukses pa tre vendet tjera”, tha ai.

Ai shtoi se kjo nismë është e ngjashme më atë që nën procesin e Berlinit njihet si tregu i përbashkët rajonal.

“Mendoj se plotësojnë njëra-tjetrën dhe çdo gjë që i afron vendet mes tyre, do të krijojë mirëbesim ndërmjet njerëzve, do të krijojë mundësi për lëvizje politike në disa çështje tjera. Pra, po, i mbështesim të gjitha përpjekjet për të afruar vendet ekonomikisht mes tyre", tha ai, duke nënvizuar se një treg i tillë do të ishte shumë tërheqës për kompanitë amerikane.

Mospajtimet rreth nismës kanë nxitur përplasje në distancë ndërmjet kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

XS
SM
MD
LG