Lidhje

Shqipëri: Arrestohet një person i dyshuar për dhunim seksual të një të miture


Policia e Gjirokastrës tha të enjten se arrestoi një 53-vjeçar pasi dyshohet se në periudha të ndryshme kohore ka kryer marrëdhënie seksuale me një të mitur 16-vjeçare.

E mitura ndodhet e shtruar në spitalin e Gjirokastrës për të marrë ndihmë mjekësore dhe për ekzaminimet e mëtejshme. Policia njoftoi se ka dorëzuar dosjen në prokurori për 53-vjeçarin me inicialet K. H, nga qyteti i Libohovës. Ndaj tij rëndon akuza për veprën penale “Marrëdhënie seksuale më dhunë me të mitur të moshës 14-18 vjeç”.

Sipas burimeve nga policia lokale, personi i arrestuar ishte i afërm me të miturën dhe nuk kishte shumë kohë që ishte kthyer nga emigrimi. Ai jetonte vetëm me djalin pasi bashkëshortja i kishte ndërruar jetë disa vite më parë.

Në Shqipëri, herë pas here raportohen raste të dhunës ndaj të miturve dhe ka një shqetësim në rritje për krimet seksuale ndaj tyre .

Pesë ditë më parë babai i një vajze 6-vjeçare u arrestua nga policia në Kamëz pasi kishte dhunuar barbarisht të miturën që kishte përfunduar në gjendje të rëndë në spital.

Sipas Prokurorisë së Përgjithshme koeficienti i kriminalitetit për 100 mijë banorë për veprat penale kundër fëmijëve shënoi rritje në vitin 2020 me 48%, nga 43% që ishte në vitin 2019.

Prokuroria e Përgjithshme ka kërkuar ndërveprim të institucioneve përgjegjëse për trajtimin e fëmijëve duke vendosur edhe krijimin e një regjistri të posaçëm për kategoritë e fëmijëve që dhunohen. Sipas statistikave zytare në Shqipëri gjatë 5 viteve të fundit kanë ndodhur mbi 300 sulme seksuale ndaj të miturve.

Ekspertët thonë se dhuna seksuale mendohet të jetë në shifra më të larta, pasi sipas tyre ajo nuk raportohet në shumicën e rasteve.

XS
SM
MD
LG