Lidhje

Thirrje kundër dhunës ndaj infermierëve amerikanë 


Infermierët në Shtetet e Bashkuara vazhdimisht përballen me sharje dhe sulme fizike nga pacientët. Pandemia COVID-19 vetëm sa ka thelluar edhe më shumë këtë problem të kujdesit shëndetësor, siç raporton korrespondentja Veronica Balderas Iglesias.

Thirrje kundër dhunës ndaj infermierëve amerikanë
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:32 0:00

Pranë dokumentit identifikues, infermieri Benjamin Coe ka edhe butonin e panikut.

“Vetëm në dy raste jam sulmuar fizikisht nga pacientët. Por në çdo turn që punoj, të paktën një pacient më ofendon me fjalë dhe me shprehje të dhunshme”, thotë ai.

Zoti Coe thotë se protokollet për COVID-19 jo gjithmonë mirëkuptohen.

“Ata nxjerrin mllefin e tyre ndaj rregullave për vizitorët. Vaksinat dhe trajtimi janë politizuar aq shumë, saqë them se politika po shkakton problemet”, thotë ai.

Një sondazh i shtatorit nga Organizata Kombëtare e Infermierëve të Bashkuar tregon se 31 për qind e infermierëve përjetojnë dhunë në vendin e punës, tre herë më shumë sesa në mars.

Infermierja e Kujdesit Intensiv, Mawata Kamara, thotë se mungesa e stafit është pjesërisht shkaku.

“Kemi më shumë njerëz që shqetësohen për gjëra si pritjet e gjata në dhomën e urgjencës. Fatkeqësisht, realiteti është se ka pacientë të tjerë po aq të sëmurë të cilëve duhet t’u kushtojmë vetëm një kohë të caktuar”, thotë ajo.

Pas sulmeve, infermierët jo gjithmonë raportojnë përvojat e tyre tek eprorët ose policia.

Por në rrjete sociale, flasin më lirshëm.

“Infermierët frikësohen të raportojnë për shkak të hakmarrjes, për shkak të ndjesisë se do të futen në listë të zezë. Ose atyre u është kërkuar nga punëdhënësi të mos raportojnë për të ruajtur përshtypjet e pacientëve”, thotë Sandra Risoldi nga organizata “Njësiti i Infermiereve Kundër Dhunës”.

Rastet që nuk raportohen u mundësojnë sulmuesve të largohen pa dhënë përgjegjësi, shpjegon Richard Mereu nga Shoqata e Infermierëve të Urgjencës.

“Kemi rreth 31 shtete që e dënojnë me ligj sulmin e dhunshëm ndaj infermierëve në urgjencë. Nëse denohesh për këtë krim, në përgjithësi dënimi është një vit burg ose më shumë“, thotë ai.

Një ligj i propozuar në Senatin amerikan u kërkon punëdhënësve të mbrojnë infermierët dhe pjesën tjetër të stafit nga hakmarrja për raportim të dhunës dhe urdhëron kompanitë të hartojnë plane parandaluese.

Shoqata e Spitalit në Merilend përfaqëson 53 spitale dhe shtatë sisteme shëndetësore. Në pesë vitet e fundit, anëtarët e saj kanë ndërmarrë disa hapa për të parandaluar dhunën në vend të punës.

“Më shumë kamera, roje sigurie, ndonjëherë dhe qen”, thotë Bob Atlas, themelues i shoqatës.

Por, me politizimin e pandemisë, masat e sigurisë kanë mundësi të kufizuara.

“Natyra e punës në spitale është e tillë që nuk mund të eliminosh mundësinë e lëndimit. Ata që kujdesen dhe pacientët duhet të jenë ballë për ballë“, thotë zoti Atlas.

Infermieret si zonja Kamara duan të jenë të përfaqësuara në tryezat ku spitalet hartojnë planet e sigurisë.

“Infermierët nuk duan të lënë punën. Por nëse një infermier duhet të zgjedhë mes punës dhe kthimit në shtëpi me nofull të thyer ose i traumatizuar, mendoj se shumica do të zgjidhnin qetësinë mendore”, thotë ajo.

Më shumë se katër milionë infermierë në Shtetet e Bashkuara kanë një barrë të madhe në pandemi. Prandaj, ata thonë se çdo lloj ndihme nga pacientët është e mirëpritur.

XS
SM
MD
LG