Lidhje

Izraeli dhe palestinezët shkëmbejnë replika lidhur me misionin amerikan në Jeruzalem


Palestinezët kritikuan të dielën Izraelin për refuzimin ndaj rihapjes së konsullatës amerikane në Jeruzalem, një veprim që do të rikthente misionin kryesor diplomatik të Uashingtonit për palestinezët në qytetin e kontestuar.

Kryeministri izraelit Naftali Bennett tha të shtunën vonë se në Jeruzalem nuk kishte vend për një mision tjetër amerikan.

Administrata e ish-presidentit Trump e kishte mbyllur konsullatën amerikane në Jeruzalem, një zyrë që për vite me radhë kishte shërbyer praktikisht si ambasadë për palestinezët. Sekretari i Shtetit Antony Blinken është zotuar ta rihapë atë, një veprim që Izraeli thotë se do të sfidonte sovranitetin e tij mbi qytetin. Rihapja mund të ndihmojë në përmirësimin e lidhjeve të Shteteve të Bashkuara me palestinezët, që u dëmtuan gjatë mandatit të zotit Trump.

Në një deklaratë, Ministria e Jashtme palestineze tha se e sheh rihapjen e konsullatës si pjesë e angazhimeve të komunitetit ndërkombëtar për t'i dhënë fund pushtimit prej dekadash të Izraelit të territoreve mbi të cilët palestinezët kanë pretendime për shtetin e tyre të ardhshëm.

"Jeruzalemi Lindor është pjesë e pandashme e territorit të pushtuar palestinez dhe është kryeqyteti i shtetit të Palestinës. Izraeli, si fuqi pushtuese, nuk ka të drejtë të vërë veton ndaj vendimit të administratës amerikane", thuhet në deklaratë.

I pyetur për konsullatën në një konferencë shtypi, zoti Bennett përsëriti qëndrimin e Izraelit për Jeruzalemin.

"Nuk ka vend për një konsullatë tjetër amerikane në Jeruzalem," tha ai. “Jeruzalemi është kryeqyteti i një shteti dhe ky është shteti i Izraelit”.

Ministri i Jashtëm izraelit Yair Lapid sugjeroi se konsullata mund të hapej në qendrën administrative palestineze në Ramallah të Bregut Perëndimor. Palestinezët e refuzojnë idenë sepse kjo do të minonte pretendimet e tyre ndaj Jeruzalemit.

Izraeli e sheh Jeruzalemin si kryeqytetin e tij historik dhe të pandarë. Palestinezët kërkojnë pjesën lindore të qytetit, të cilin Izraeli e pushtoi në 1967 dhe e aneksoi më vonë.

Çështja e konsullatës po kthehet në një provë tjetër midis qeverisë së zotit Bennett dhe administratës së presidentit Biden, e cila ka marrë hapa për t’iu rikthyer politikës së jashtme tradicionale amerikane ndaj Izraelit dhe palestinezëve pasi Shtëpia e Bardhë e ish-presidentit Trump mbështeti kryesisht Izraelin për çështjet që lidhen me konfliktin.

Blinken nuk ka dhënë një datë të saktë për rihapjen dhe zyrtarët amerikanë kanë lënë të kuptohet se qëndrimi kundër i Izraelit mund të bëhet pengesë për arritjen e këtij qëllimi.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG