Lidhje

Kremlini: Putin dhe kreu i CIA-s diskutuan për “konfliktet rajonale”


Presidenti rus Vladimir Putin diskutoi konfliktet rajonale dhe një krizë në marrëdhëniet mes dy vendeve me kreun e CIA-s së, i cili bëri një vizitë në Moskë javën e kaluar, tha Kremlini të hënën.

Shefi i CIA-s, William Burns, ishte në Rusi për dy ditë takime me zyrtarë të lartë me kërkesë të presidentit Joe Biden, tha ambasada amerikane.

CNN raportoi javën e kaluar se Burns ishte dërguar në Moskë për të paralajmëruar Kremlinin mbi pohimet për grumbullim të trupave ruse pranë kufirit të Ukrainës. CNN tha se pas takimeve të tij në Rusi, Burns foli me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në telefon.

Zëdhënësi i Kremlinit tha të hënën se Putin dhe Burns diskutuan marrëdhëniet dypalëshe, "konfliktet rajonale" dhe një krizë në marrëdhëniet diplomatike. Ai nuk dha hollësi të tjera.

Zoti Burns, i cili ishte ambasador i Shteteve të Bashkuara në Rusi në vitet 2005-2008, vizitoi Moskën gjatë një krize të rëndë në lidhjet midis Moskës dhe Uashingtonit.

Biden ka rritur presionin ndaj zotit Putin që kur filloi mandatin si President i Shteteve të Bashkuara në janar. Në maj, Rusia i përcaktoi zyrtarisht Shtetet e Bashkuara si një "shtet jomiqësor".

Pentagoni tha javën e kaluar se po monitoronte nga afër situatën në Ukrainë mes raporteve për një grumbullim të ri të trupave ruse në kufirin e vendit.

Publikisht, Ukraina ka mohuar raportet për një grumbullim të ri trupash ruse.

Ushtria ukrainase është përfshirë në një konflikt të ashpër me separatistët pro-rusë, i cili shpërtheu pasi Moska aneksoi Krimenë në vitin 2014.

Pas një rritjeje të dhunës në fillim të këtij viti, Rusia në pranverë grumbulloi rreth 100,000 trupa në kufirin e saj me Ukrainën, duke shkaktuar frikë për një përshkallëzim të madh. Nën presionin e aleatëve perëndimorë të Kievit, Moska më vonë i tërhoqi trupat e saj.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG