Lidhje

Presidenti Biden, turne për të reklamuar paketën mbi infrastrukturën


Pas një fitoreje të madhe legjislative, Presidenti Biden do të zhvillojë një turne këtë javë për të folur mbi paketën e infrastrukturës që u miratua të premten nga Kongresi. Presidenti ka thënë se do ta nëshkruajë së shpejti në ligj planin gjatë një ceremonie zyrtare ku do marrin pjesë si demokratët ashtu edhe republikanët që ndihmuan në miratimin e saj. Ndërkohë, demokratët ende po përpiqen të miratojnë një paketë shpenzimesh sociale me vlerën e 1.75 trilionë dollarëve, duke krijuar pasiguri se çfarë do të përfshihet në projektpropozimin përfundimtar.

Një arritje e madhe legjislative.

Pas disa muajsh debatesh, Dhoma e Përfaqësuesve miratoi të premten paketën dypartiake, e cila është vetëm gjysma e axhendës legjislative të Presidentit Biden.

“Bëmë një hap monumental përpara si vend. Dhe sapo kemi filluar”, tha Presidenti Biden.

Lgji parashikon kryerjen e investimeve më të mëdha që janë kryer gjatë disa dekada në sistemin e transportit në vend.

110 miliardë dollarë për për autostradat, urat dhe rrugët.

66 miliardë dollarë të destinuara për hekurudhat.

7.5 miliardë dollarë për stacionet e karikimit të makinave elektrike.

65 miliardë dollarë për përmirësimin e rrjetit energjitik në vend.

55 miliardë dollarë për ujë të pijshëm të pastër.

65 miliardë dollarë për internet me shpejtësi të lartë, mes nismave të tjera.

Presidenti do të shkojë në Baltimore të mërkurën për të paraqitur detaje të paketës së shpenzimeve në infrastrukturë. Senatori Mark Warner, demokrat i shtetit të Virxhinias, thotë se ky është investimi më i madh në dhjetëra vite.

“Hera e parë në 50 vite që bëjmë një investim të tillë.”

Presidenti Biden thotë se efektet e ligjit do të ndihen shumë shpejt.

“Efektet do të shihen ndoshta brenda dy ose tre muajsh ndërsa fillon puna. Fatura e kësaj pakete do të paguhet gjatë disa viteve.”

13 ligjvënës republikanë votuan në mbështetje të paketës ndërsa 6 demokratë progresistë e kundërshtuan atë, duke e kushtëzuar vendimin pro saj me miratimin e paketës më të madhe për shpenzime sociale.

Demokratët ende po debatojnë se çfarë duhet përfshirë në paketën tjetër prej 1.75 trilionë dollarësh, për të trajtuar çështje si arsimi, kujdesi për fëmijët, kujdesin shëndetësor për të moshuarit dhe përpjekjet për të luftuar ndryshimet klimatike.

Të moderuarit në Dhomën e Përfaqësuesve kanë rënë dakord për ta miratuar paketën më të madhe të shpenzimeve sociale deri me 15 nëntor. Megjithatë, është ende e paqartë se çfarë mbështetje do të ketë në Senat paketa në fjalë.

XS
SM
MD
LG