Bashkimi Evropian do të zgjerojë sanksionet kundër Bjellorusisë javën që vjen. Lajmi u bë i ditur të mërkurën nga Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen pas një takimi me Presidentin Joe Biden në Uashington, ku u trajtuan ndër të tjera çështje që lidhen me COVID-19 dhe klimën.
"Shumë shpejt, në fillim të javës së ardhshme, do të ketë një zgjerim të sanksioneve kundër Bjellorusisë", u tha gazetarëve pas takimit zonja Von der Leyen duke vënë në dukje se, sanksionet do të zbatohen si ndaj individëve ashtu edhe subjekteve.
Diplomatë të Bashkimit Evropian kanë thënë se blloku planifikon të vendosë sanksione ndaj rreth 30 personave e subjekteve, mes tyre ministrin e jashtëm të Bjellorusisë si dhe ndaj linjës ajrore bjelloruse “Belavia”.
BE-ja dhe NATO-ja akuzojnë Presidentin Alexander Lukashenko se po i përdor migrantët si “armë” për të ushtruar trysni ndaj Perëndimit, duke I sjellë në Minsk njerëzit që largohen nga Lindja e Mesme e më pas duke i çuar në kufijtë e Polonisë dhe shteteve baltike.
Presidenti i Bjellorusisë Aleksandër Lukashenko dhe aleati i tij, Presidenti rus Vladimir Putin kanë fajësuar BE-në.
Zonja Von der Leyen tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara kishin përgatitur sanksione kundër Bjellorusisë që do të hynin në fuqi në fillim të muajit dhjetor.
"Ne do të shqyrtojmë mundësinë e vendosjes së sanksionove ndaj atyre linjave ajrore që lehtësojnë trafikimin e qenieve njerëzore drejt Minskut dhe më pas drejt kufirit BE-Bjellorusi", shtoi ajo më tej.
Për herë të funditt zonja Von der Leyen dhe Presidenti Biden u takuan në Romë në samitin e G-20 si dhe konferencën e OKB-së për klimën në Glasgou. Presidenti Biden po kërkon të përmirësojë marrëdhëniet me Evropën pas tensionesh të krijuara nga paraardhësi i tij, ish-Presidenti Donald Trump.
Shtëpia e Bardhë tha përpara takimit se të dy udhëheqësit do të diskutojnë çështje që lidhen me ekonominë dhe trajtimin e tyre përmes një këshilli të përbashkët të tregtisë dhe teknologjisë SHBA-BE, ngrohjen globale si dhe çështje rajonale, si Ukraina dhe Ballkani Perëndimor.
“Presidenti Biden do të riafirmojë mbështetjen e tij për Bashkimin Evropian si një partner themelor për Shtetet e Bashkuara”, thuhej në një deklaratë të zëdhënëses së Shtëpisë së Bardhë Emily Horne.
Marrëdhëniet transatlantike janë përmirësuar nën administratën e Presidentit Biden. Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja kanë arritur të zgjidhin dy mosmarrëveshje të mëdha tregtare, atë që lidhet me subvencionimin e avionëve dhe prodhimin e çelikut, duke u bërë bashkë në kauzën më të madhe atë të kërcënimit që paraqet Kina.