Lidhje

Sudan, forcat e sigurisë vrasin të paktën 5 protestues


Forcat sudaneze të sigurisë qëlluan me armë zjarri e hodhën gaz lotsjellës në një përpjekje për të shpërndarë turmat e njerëzve që protestuan të shtunën kundër grushtit ushtarak të shtetit që ndodhi muajin e kaluar. Si pasojë u vranë të paktën pesë persona dhe u plagosën disa të tjerë.

Demonstratat vijnë dy ditë pasi udhëheqësi ushtarak Abdel Fattah al-Burhan njoftoi formimin e një këshilli të ri qeverisës, që përjashton koalicionin civil, me të cilin ushtria ndante pushtetin që nga viti 2019.

Grupet sudaneze pro-demokracisë e dënuan këtë vendim dhe u zotuan të vazhdojnë fushatën e tyre të mosbindjes civile si dhe protestat kundër grushtit të shtetit të 25 tetorit. Forcat e sigurisë mbyllën disa ura të shtunën e vendosën tela me gjemba për të bllokuar hyrjen në disa qytete.

Sipas dëshmitarëve ishin mbyllur gjithashtu edhe rrugët që të çojnë drejt pikave strategjike, mes tyre pallati presidencial, zyra e qeverisë dhe aeroporti.

Ndërsa protestuesit filluan të mblidheshin në Khartoum, forcat e sigurisë në qytet e Omdurman-it dhe Khartoum-it të Veriut hodhën gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit, duke i larguar ata nga pikat kryesore të qyteteve.

Në Wad Madani, në jug-lindje të Khartoum-it, turma të mëdha njerëzish hodhën slogane si: poshtë sundimi ushtarak", tha një dëshmitar për agjencisë "Reuters". Protesta ka pasur gjithashtu edhe në Kassala në Sudanin lindor.

Marrja e pushtetit nga ushtria ndali tranzicionin drejt demokracisë i cili nisi pas kryengritjes që rrëzoi autokratin Omar al-Bashir, në prill të 2019. Forcat e sigurisë arrestuan zyrtarë të lartë të emëruar sipas një marrëveshjeje për ndarjen e pushtetit mes grupeve ushtarake dhe civile, ndërsa kryeministri Abdalla Hamdok u vendos nën arrest shtëpie.

XS
SM
MD
LG