Lidhje

Rusia nis furnizimin e Indisë me sisteme të mbrojtjes nga raketat S-400


Rusia ka filluar furnizimin e Indisë me sistemet e mbrojtjes nga raketat S-400, njoftoi të dielën agjencia ruse e lajmeve duke cituar Dmitry Shugayev, kreun e Agjencisë ruse për Bashkëpunim Ushtarak.

Një zhvillim i tillë e vendos Indinë në rrezik për sanksione nga Shtetet e Bashkuara bazuar në një ligj të vitit 2017, që synon të pengojë vende të ndryshme, të blejnë pajisje ushtarake ruse.

"Furnizimet me njësitë e para të sisteme tashmë kanë filluar", citonte Interfax zotin Shugayev të ketë thënë të dielën, gjatë një ekspozite lidhur me hapësirën ajrore të hapur në Dubai.

Ai tha se njësia e parë e një sistemi S-400 do të arrijë në Indi deri në fund të këtij viti.

Marrëveshja prej 5.5 miliardë dollarësh për pesë sisteme raketash tokë-ajër me rreze të gjatë veprimi, për të cilat India thotë se i nevojitet për t'u përballur me çdo kërcënim të mundshëm që i vjen nga Kina, u nënshkrua në vitin 2018.

India përballet me një sërë sanksionesh financiare nga Shtetet e Bashkuara në bazë të Aktit për Përballjen me Kundërshtarët e Amerikës përmes Sanksioneve (CAATSA), në të cilin Rusia paraqitet si një vend kundërshtar, krahas Koresë së Veriut dhe Iranit, lidhur me veprimet e saj kundër Ukrainës, ndërhyrjen në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016 si dhe ndihmën që i ka dhënë forcave qeveritare siriane.

Vitin e kaluar, Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione, bazuar në të njëjtin akt, ndaj aleatit të tyre NATO, Turqisë, për blerjen e sistemeve S-400 nga Rusia.

Uashingtoni e hoqi gjithashtu Turqinë nga programi i avionëve luftarakë F-35, avioni më i avancuar në arsenalin e SHBA-së, i përdorur nga vendet anëtare të NATO-s si dhe aleatët e tjerë të SHBA-së.

Rusia tha se i kishte ofruar Turqisë ndihmën e saj në prodhimin e avionëve luftarakë të avancuar, por deri tani nuk është arritur asnjë marrëveshje mbi këtë çështje.

"Ne jemi ende në fazë negociatash mbi këtë projekt", tha zoti Shugayev të dielën për agjencinë e lajmeve RIA.

XS
SM
MD
LG