Lidhje

Biden nxit projektin për stacione karikimi për automjetet elektrike mes një rritje të kostos së karburantit


Presidenti Joe Biden ka vënë theksin tek miliarda dollarë, që përfshihen brenda paketës madhore mbi infrastrukturën që u miratua në Kongres falë një mbështjeje dypalëshe, të cilat do të shërbejnë për të paguar për instalimin e karikuesve të automjeteve elektrike në të gjithë vendin. Ai thotë se ky investim do të ndihmojë shumë në frenimin e emetimit të dioksidit të karbonit që shkakton ngrohjen globale, krahas krijimit të vendeve të punës e paga më të mira.

Presidenti Biden do të vizitojë të mërkurën një fabrikë të kompanisë “General Motors” në Detroit, e cila prodhon automjete elektrike. Ai do ta shfrytëzojë këtë rast për të mbështetur qëndrimin e tij se 7.5 miliardë dollarë të përfshira në ligjin e ri të infrastrukturës për ndërtimin e stacioneve të karikimit të automjeteve elektrike, do ta ndihmojnë Amerikën në ambiciet e saj për prodhimin e energjisë së gjelbër. Aktualisht, tregu amerikan i automjeteve elektrike është sa një e treta e madhësisë së tregut kinez për këto lloj automjetesh.

Është një gjë e madhe”, deklaroi zoti Biden teksa nënshkroi ligjin në një ceremoni në Shtëpinë e Bardhë që u mbajt të hënën.

Në një opinion të shkruar për gazetën “Detroit Free Press” këshilltarët kryesorë të Shtëpisë së Bardhë, mbështesin qëndrimin se ligji do ta ndihmojë Amerikën të rifitojë vendin e saj konkurrues në botë, i cili është zbehur, sikurse thonë ata, për shkak të disa “dekadave vonesash e problemesh".

"Askush nuk e di këtë më mirë sesa Detroiti, që ka qenë në zemër të strategjisë industriale amerikane në të kaluarën dhe që tashmë e ka këtë mundesi sërish. Ndaj dhe Presidenti Biden po vjen sot", shkruanin Brian Deese, drejtor i Këshillit Kombëtar Ekonomik si dhe këshilltari për Sigurisë Kombëtare Jake Sullivan, në një opinion të botuar të mërkurën.

Republikanët, edhe disa nga ata që madje votuan në favor të paketës për infrastrukturën, kanë kritikuar Presidentin Biden se po shqetësohet për teknologjinë e automjeteve elektrike, në një kohë kur amerikanët po përballen me një rritje të çmimit të benzinës dhe gazit natyror.

Gjatë një fjalimi në Senat të martën udhëheqësi i republikanëve në Senat, Mitch McConnell, argumentoi se "administrata Biden nuk ka ndonjë plan strategjik që me një të rënë të lapsit ta shndërojë vendin tonë të madh, në një utopi të gjelbër brenda natës", siç tha ai.

"Ata (demokratët) thjesht duan të hedhin sa më shumë para të qeverisë në gjëra të tilla, si panelet diellore dhe automjetet elektrike duke shpresuar se gjithçka do të funksionojë", tha zoti McConnell, një nga 19 senatorët republikanë që votuan në favor të ligjit mbi infrastrukturën. Ai shtoi se ndërsa "familjet amerikane po ngulin sytë ndërkohë tek faturat në rritje për ngrohje, përgjigja e demokratëve është të hyjnë në luftë me burimet e energjisë së përballueshme për amerikanët”.

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki, ka theksuar se administrata po sheh "çdo mjet në arsenalin e vendit", që do t’i shërbente për të luftuar çmimet e larta të benzinës. Ajo shtoi se Presidenti Biden dhe ekipi i tij ekonomik janë "mjaft të përqendruar" në këtë çështje.

Zonja Psaki tha se administrata i ka kërkuar Komisionit Federal të Tregtisë "të bëjë përpjekje për të goditur çmimet e paligjshme" dhe po angazhohet me vende dhe entitete jashtë tij, sikurse OPEC-u, për të rritur furnizimin (me karburante).

Fabrika e “General Motors”, që zoti Biden do të vizitojë të mërkurën, ishte planifikuar të mbyllej në vitin 2018, pasi prodhuesi i automjeteve u përpoq të reduktojë një pjesë të kapaciteteve të fabrikës që prodhonin vetura të ulta, ndërsa blerësit ishin zhvendosur tek fuoristradat e kamionët. Por fabrika, e cila që prej hapjes së saj në vitin 1985, prodhon makina me motorë me djegie të brendshme, arriti t’i shpëtojë kësaj situate një vit më vonë dhe projektoi të ashtuquajturën “Fabrika Zero” për prodhimin e automjete elektrike që nuk emetojnë dioksid karboni.

Aktualisht, fabrika e cila ndodhet në kufi mes qytetit të Detroidit dhe Hamtramkut, po prodhon variante të kamionit elektrik GMC Hummer.

Vitin e ardhshëm ajo pritet të nisë prodhimin e fuoristradave elektrike Hummer.

Fabrika nuk do të ndikohet drejtpërsëdrejti nga shpenzimet mbi infrastrukturës, por do të përfitojë nga 7.5 miliardë dollarë të parashikuara për të ndihmuar në ndërtimin e një rrjeti stacionesh karikimi të automjeteve elektrike.

Presidenti Biden kishte kërkuar 15 miliardë dollarë për të ndërtuar 500,000 stacione karikimi, por nuk ka dhënë një shifër se sa të tilla mund të ndërtohen me gjysmën e këtyre parave.

Ka të ngjarë që 7.5 miliardë dollarë nuk do të mjaftojnë. Këshilli Ndërkombëtar për Transportin e Pastër thotë se SHBA-ja do të ketë nevojë për 2.4 milionë stacione karikimi deri në vitin 2030, nëse 36 për qind e totalit të automjeteve të reja të shitura do të jenë makina elektrike. Aktualisht në mbarë vendin ka rreth 45,500 stacione karikimi me rreth 112.000 priza.

Presidenti Biden shpreson të bëjë edhe më shumë për të reklamuar automjetet elektrike, duke përfshirë dhe një riimbursim tatimor prej 7,500 dollarësh për ata konsumatorë që blejnë automjete elektrike deri në vitin 2026, një çështje që është përfshirë si pjesë e projekligjit së tij prej 1.85 trilionë dollarësh, me të cilin do të paguhen programeve në fushën e shërbimeve sociale e çështje të klimës.

Vitin që vjen, vetëm blerja e automjeteve elektrike të prodhuara në SHBA nga fabrikat e automobilave në pronësi të General Motors, Ford Motor Co. dhe Stellantis NV, do të kualifikohet për ulje taksash.

Politika e taksave që favorizon automjetet e prodhuara në Amerikë mund të jetë një pikë tensioni gjatë takimit të Presidentit Biden me Kryeministrin kanadez Justin Trudeau dhe Presidentin meksikan Andrés Manuel López Obrador në Shtëpinë e Bardhë të enjten. Ky është takimi i parë i nivelit të lartë mes tre udhëheqësve të Amerikës së Veriut që nga viti 2016.

Ministrja e Jashtme kanadeze Melanie Joly tha se ia ka përcjellë këtë shqetësim Sekretarin amerikan të Shtetit Antony Blinken në takimin e tyre në Uashington javën e kaluar, duke thënë se nisma tatimore e propozuar do të kishte një ndikim negativ në industrinë e integruar të automobilave të Amerikës së Veriut dhe do të vinte në rrezik mijëra vende pune në Kanada.

XS
SM
MD
LG