Lidhje

Vrasja e fëmijës, tensione para gjykatës së Fierit


Në Shqipëri, gjykata e Fierit zgjodhi të japë në mungesë masën e sigurisë arrest me burg për Klodian Çalamanin, personi i cili pranoi vrasjen dy ditë më parë të një fëmije 8 vjeçar në fshatin Greçalli të Fierit

Shkak u bë situata e tensionuar përrreth gjykatës, ku përveç familjarëve të fëmijës, ishin grumbulluar dhe qytetarë të ndryshëm. Forca të shumta policia u përfshinë pranë objektit pasi u tentua dhe hyrja me forcë në mjediset e gjykatës.

Avokati i caktuar nga shteti për të përfaqësuar Çalamanin, u tërhoq pak para seancës, ndërsa i akuzuari, u mbajt në mjediset e paraburgimit dhe nuk u dërgua në gjykatë për të shmangur një përkeqësim të gjendjes.

Të revoltuar, familjarët kanë kërkuar me ngulm që për vrasësin të jepet dënimi me vdekje, i cili që nga mesi i viteve ’90 nuk është më pjesë e legjislacionit shqiptar.

Ngjarja e rëndë, ka tronditur opinionin dhe ka nxitur debate të shumanshme. Policia e arrestoi pak orë pas vrasjes autorin, i cili pohoi krimin. Ai ishte fqinj me fëmijën të cilit i mori jetën. Vite më parë ai ishte dënuar për rrëmbimin e një tjetër të miture dhe njihej si njeri me probleme edhe në komunitet.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG