Lidhje

Protestë masive në Austri kundër masave për koronavirusin


Dhjetëra mijëra vetë, shumë prej tyre mbështetës të së djathtës ekstreme, protestuan të shtunën në Vjenë kundër kufizimeve të koronavirusit një ditë pasi qeveria e Austrisë njoftoi një bllokim të ri dhe tha se vaksinat do të bëhen të detyrueshme vitin e ardhshëm.

Me fishkëllima, duke u rënë borive dhe daulleve, turmat mbushën Sheshin e Heronjve përpara Hofburgut, ish-pallatit perandorak në qendër të Vjenës, në orët e hershme të pasdites, në njërën nga disa protestat në vend.

Shumë demonstrues valëvitnin flamuj austriak dhe mbanin pankarta me slogane si "jo vaksinimit", "mjaft është mjaft" ose "poshtë diktatura fashiste".

Turmat kishin arritur në rreth 35,000 vetë nga mesi i pasdites, sipas policisë, dhe protestuesit po marshonin në unazën e brendshme të Vjenës përpara se të ktheheshin në drejtim të Hofburgut. Një zëdhënës i policisë tha se kishte pasur më pak se 10 arrestime, për shkelje të kufizimeve të koronavirusit dhe përdorimit të simboleve naziste.

Përafërsisht 66% e popullsisë së Austrisë është plotësisht e vaksinuar kundër COVID-19, një nga normat më të ulëta në Evropën Perëndimore. Shumë austriakë janë skeptikë ndaj vaksinave, një qëndrim i inkurajuar nga Partia e Lirisë e ekstremit të djathtë, e treta më e madhe në parlament. Ndërsa infeksionet ditore kanë kapur shifra rekord edhe pasi u vendos një bllokim për të pavaksinuarit këtë javë, qeveria tha të premten se do të sillte në fuqi një bllokim të hënën dhe do ta bënte të detyrueshëm vaksinimin që nga 1 shkurti.

Partia e Lirisë (FPO) dhe grupe të tjera kritike ndaj vaksinave kishin planifikuar tashmë një shfaqje force të shtunën në Vjenë përpara njoftimit të së premtes, gjë që bëri që kreu i FPO, Herbert Kickl të përgjigjej se "Që nga sot, Austria është një diktaturë". Kickl nuk mundi të merrte pjesë sepse është infektuar me COVID-19.

XS
SM
MD
LG