Lidhje

Familjarët protestojnë në Vlorë për vrasjen e 8-vjeçarit Mateo Vasiu


Familjarët e 8-vjeçarit Mateo Vasiu, i cili u vra brutalisht pak ditë më parë në Fier nga Klodian Çalamani, një person me precedent kriminal, protestuan të dielën në paraburgimin e Vlorës, ku qëndron i izoluar autori.

Protestuesit mbanin pankarta në duar me foton e Mateos dhe mes tensionesh me policinë synuan të kalojnë forcërisht rrethimin e jashtëm të burgut.

Nëna e Mateos u shpreh se kërkonte drejtësi për të birin, ndërsa protestës së tyre i janë bashkuar edhe qytetarë të tjerë të Vlorës.

Protestuesit kanë marshuar në disa nga rrugët kryesore të qytetit duke kërkuar drejtësi dhe mbrojtjen nga dhuna të fëmijëve në Shqipëri .

Gjykata e Fierit dha të enjten masën e arrestit me burgnë mungesë për autorine vrasjes Klodian Çalamani, ndërsa familjarët hynë forcërisht në mjediset e gjykatës duke kërkuar të përballeshin me vrasësin.

Policia e zhvendosi autorin e krimit në paraburgimin e Vlorës, për të shmangur tensionet.

Vrasja të martën në mënyrë brutale nga autori i krimit dhe gropsoja pas oborrit të shtëpisë i trupit të pajetë të 8-vjeçarit Mateo Vasiu solli reagime të forta në opinionin shqiptar.

Në disa qytete në Shqipëri grupe të rinjsh po protestojnë për dhunën ndaj fëmijëve duke kërkuar nga strukturat shtetërore mbrojtjen e tyre dhe ndëshkimin nga drejtësia të autorëve të krimeve.

Sipas të dhënave zyrtare krimet dhe keqtrajtimet ndaj të miturve në Shqipëri kanë shënuar rritje vitet e fundit.

Sipas Raportit të Prokurorit të Përgjithshëm për Kriminalitetin, në Shqipëri u regjistruan vitin e kaluar 48 procedime për keqtrajtim të të miturve nga 27 që ishin regjistruar në vitin 2019,me një rritje prej rreth 78%.

Prokuroria e Përgjithshme ka kërkuar ndërveprim të institucioneve përgjegjëse për trajtimin e fëmijëve duke vendosur edhe krijimin e një regjistri të posaçëm për kategoritë e autorëve që dhunojnë fëmijët.

XS
SM
MD
LG