Lidhje

Çfarë janë kristalet shëruese dhe përse shkaktojnë debat 


Çfarë janë kristalet shëruese dhe përse shkaktojnë debat
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:47 0:00

Gjatë viteve të fundit është rikthyer përdorimi i të ashtuquajturve kristale shëruese, megjithëse nuk është provuar shkencërisht aftësia e tyre kuruese. ato kanë fituar terren në treg për shkak të pandemisë.

Becky Waddell është pronare e butikës Take Care, një dyqan në Uashington që shet produkte kozmetike dhe për kurimin në llixha. Ajo thotë se për një kohë të gjatë, e kishte thjesht hobi dashurinë për gurët gjysëm të çmuar, derisa një ditë kuptoi se kristalet ishin bërë pjesë e industrisë së bukurisë.

"U bënë disa klientë që më thonin 'Sikur të kishe kristale këtu!' dhe unë mendova 'Shumë mirë, të gjithë i pëlqejnë!'," thotë zonja Waddell.

Kristalet kanë ekzistuar gjithnjë në periferitë e industrisë së trajtimit fizik, por ato fituan terren gjatë pandemisë. Zonja Waddell thotë se ajo po punon që të plotësojë kërkesat pasi interesimi për terapi fizike me kristale vazhdon të rritet. Ashtu si karakteristikat e tyre mjekësore, edhe çmimet e kristaleve kurative variojnë së tepërmi, duke filluar nga 20 dollarë dhe duke arritur deri në 5 mijë dollarë.

"Na vijnë shumë njerëz nga i gjithë vendi, të cilët mund të jenë duke vizituar Uashingtonin dhe kërkojnë për dyqane gurësh të çmuar dhe mineralesh. Ndërsa për klientin e zakonshëm nga Uashingtoni, stresi është shumë i lartë. Ata punojnë nga shtëpitë, të cilat janë ndoshta të vogla dhe me hapësira të pamjaftueshme. Shumë njerëzve u pëlqen të kenë një kristal të tillë mbi tavolinë", thotë zonja Waddell.

Njerëzit e skenës dhe ekranit i kanë dhanë një nxitje industrisë së kristaleve. Supermodelja Naomi Campbell thotë se ajo gjithnjë mban kristale në çantën e saj, dhe këngëtarja Adele u shpreh se paraqitja e saj jo shumë e mirë gjatë Çmimeve Grammy ishte për shkak se kishte humbur kristalin që i sillte fat. Madje Gwyneth Paltrow shet kristale kurative në faqen e saj në internet, Goop.

Por, mjekët janë skeptikë dhe thonë se nuk ka asnjë evidencë se kristalet japin ndonjë ndihmë.

"Nuk ka asnjë evidencë shkencore që të tregojë se kristalet shëruese mund të ndihmojnë në ndonjë mënyrë për trajtimin e sëmundjeve. Mendoj se ekziston vërtet hapësira që njerëzit të kenë besim në gjëra të caktuara që mund t'iu rrisin pozitivitetin dhe shëndetin e tyre mendor. Dhe duke forcuar shëndetin mendor, rritet qëndrueshmëria, lumturia e përgjithshme dhe mund të forcohet edhe sistemi imunitar. Por, a është kjo për shkak të kristaleve shëruese? Jo. A vijnë këto të mira prej tyre? Jo. Mund të vijnë prej kaq shumë gjërash të ndryshme në jetën tuaj, si p.sh. nga kalimi i kohës së bashku me njerëzit e dashur, apo stërvitja", thotë Navya Mysore, mjeke e familjes.

Kristalet shoqërohen edhe nga probleme politike. Megjithëse për kristale gërmohet në pothuajse çerekun e shteteve amerikane, shumica e tyre importohen nga jashtë. Një numër depozitash nëntokësore gjenden në Afganistan, ku nuk respektohen masa e sigurisë për personat që gërmojnë për t'i gjetur këta gurë gjysmë të çmuar.

Sipas organizatës së të drejtave të njeriut, Global Witness, Afganistani merr çdo vit 20 milionë dollarë nga shitja e gurit blu malakit. Tim McDonnell, gazetar me grupin mediatik Quartz, thotë se fitimet nga shitja e gurit malakit shkojnë drejtpërsëdrejti tek talebanët.

"Tashmë që talebanët janë qeveria në Afganistan, dhe të ardhurat nga burimet minerare shkojnë në thesarin e vendit, supozoj se shkon në mbështetje të talebanëve. Dhe mendoj se kjo ngre një pikëpyetje për cilindo dhe për çdo kompani që dëshiron të veprojë në këtë hapësirë", thotë zoti McDonnell.

Dhe megjithëse disa koleksionistë janë të dyzuar për sa i përket këndvështrimit etik të blerjes së kristaleve të prodhuara në Afganistan, ekspertët dhe tregëtarët besojnë se kërkesa do të vazhdojë të jetë e lartë për shkak të COVID-19ës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG