Lidhje

Hetimi gjen 'prova dërrmuese' të sjelljes së papërshtatshme nga ish-guvernatori i Nju Jorkut, Cuomo


FILE - Then-New York Governor Andrew Cuomo speaks during a news conference at New York's Yankee Stadium, July 26, 2021.
FILE - Then-New York Governor Andrew Cuomo speaks during a news conference at New York's Yankee Stadium, July 26, 2021.

Një hetim i Asamblesë të shtetit të Nju Jorkut i publikuar të hënën gjeti "prova të forta" se ish-guvernatori Andrew Cuomo është përfshirë në ngacmime seksuale dhe ka urdhëruar punonjësit e shtetit ta ndihmonin që të shkruante një libër gjatë orarit të punës.

Raporti zbuloi gjithashtu se zyra e zotit Cuomo "ndryshoi në mënyrë thelbësore" një raport shtetëror për të përjashtuar vdekjet e banorëve të azileve të pleqve në spitale.

Në mars, Komisioni Juridik i Asamblesë punësoi Davis Polk & Wardwell, një firmë ligjore në Manhatan, për të hetuar nëse kishte arsye për të ngritur akuza për shkarkimin e zotin Cuomo.

Zoti Cuomo, përfaqësues i demokratëve, dha dorëheqjen në gusht për të shmangur një proces gjykimi nga organi legjislativ i shtetit krahas një hetimi tjetër që zbuloi se ai kishte ngacmuar seksualisht të paktën 11 gra. Ky i fundit u drejtua nga dy avokatë të pavarur të zgjedhur nga Prokurorja e Përgjithshme e shtetit Letitia James, gjithashtu një demokrate.

Hetuesit e Asamblesë thanë se e rishikuan atë hetim të ngacmimit seksual, si dhe rreth 600,00 faqe dokumentesh të mbledhura nga firma Davis Polk që varionin nga fotografitë te emailet deri te regjistrimet e thirrjeve telefonike dhe video.

Hetuesit e firmës Davis Polk nuk e intervistuan zotin Cuomo, i cili në vend të kësaj ofroi përgjigje me shkrim.

Zëdhënësi i zotit Cuomo, Richard Azzopardi dhe avokatja, Rita Glavin, nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesës për koment mbi hetimin legjislativ.

Cuomo ka mohuar se ai kishte për qëllim të prekte dikë në mënyrë të papërshtatshme dhe tha se ai kurrë nuk kishte për qëllim të bënte dikë të vihej në siklet me sjelljet e tij.

Cuomo ka mohuar me forcë disa akuza, duke përfshirë pretendimin e një asistenteje ekzekutive se ai e ka prekur në rezidencën zyrtare të guvernatorit, dimrin e kaluar.

Cuomo ka kërkuar që hetuesit e Asamblesë të dorëzojnë të gjitha provat e tyre kundër tij, por anëtarët e Komisionit Gjyqësor thonë se Cuomo nuk ka të drejtë të disponojë këto prova.

"Përballë një gjyqi që synonte shkarkimin e tij, ish-guvernatori zgjodhi të japë dorëheqjen, të mos kundërshtojë provat e disponueshme dhe të mos përballej me dëshmitarët në atë forum ligjor," thuhej në raportin e lëshuar të hënën. “Duke hequr dorë nga kjo mundësi, ai nuk ka të drejtë të paraqesë ndonjë dëshmi të mëtejshme”.

Zoti Cuomo shpesh ka bërë deklarata duke premtuar bashkëpunim me hetimin e Asamblesë, por hetuesit thanë se ai ofroi vetëm pak dokumente gjatë rreth gjashtë muajve hetim.

“Megjithatë, në asnjë moment ish-Guvernatori nuk ka përmbushur në mënyrë kuptimplotë kërkesat e komisionit apo nuk ka bashkëpunuar me hetimin”, thuhet në raport.

XS
SM
MD
LG