Në Tiranë ndërroi jetë në moshën 80 vjeçare profesori i njohur i jurisprudencës prof. dr. Aleks Luarasi, i cili për afro 50 vjet iu kushtua studimeve dhe mësimdhënies të kësaj fushe.
Studentët dhe pedagogët e Universitetit “Luarasi” nisën sot studimet me një minutë heshtje.
Rektori i Universitetit, Ethem Ruka, vlerësoi se “profesor Luarasi la si trashëgim mençurinë dhe ndershmërinë e tij, botime të rendësishme për historinë e shtetit dhe së drejtës, la një shkollë elitare të drejtësisë dhe gjurmë të thella në shumë breza juristësh”.
Presidenti i Republikës e nderoi 4 vjet më parë profesor Luarasin me titullin “Mjeshtër i Madh” për ndihmesën e tij në ndërtimin e një sistemi modern universitar në Shqipëri.
Presidenti Ilir Meta u shpreh sot se prof. Luarasi ishte një “simbol i vlerave arsimdashëse dhe intelektuale të shoqërisë dhe kombit shqiptar”, i cili do të respektohet gjithmonë në qarqet akademike dhe në institucionet shtetërore për sukseset profesionale dhe angazhimin në proceset demokratizuese të vendit”.
Prof. Aleks Luarasi është autor disa prej librave kryesorë në arsimin juridik si “Historia e shtetit dhe e së drejtës në Shqipëri”, “Shteti dhe e drejta shqiptare në epokën e Skënderbeut, “Studime për të drejtën zakonore shqiptare”, “Akte juridike për historinë e shtetit dhe të së drejtës në Shqipëri".
Ai u emërua pedagog në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës në vitin 1972 dhe prej atëherë është një nga emrat më të njohur të drejtësisë shqiptare.
Në vitet 1992 deri 1998 prof. Luarasi ishte anëtar i Komisionit të Venecias pranë Këshillit të Europës.
Prof.Luarasi themeloi një shtëpi botuese dhe një universitet privat me emrin e tij, ku u zgjodh edhe rektori i parë.
Në Universitetin publik të Tiranës dhe në atë privat “Luarasi”, ai është pedagogu i mijëra studentëve të juridiksionit në afro 5 dekada.
Facebook Forum