Lidhje

Nxitet bashkëpunimi në nivel vendor Shqipëri - Kosovë


Përfaqësues nga 10 komuna të Kosovës po zhvillojnë takime me zyrtarët vendorë në Gjirokastër për të nxitur bashkëpunimin në sektorët e planifikimit urban, turizmit dhe trashëgimisë kulturore.

Nxitet bashkëpunimi në nivel vendor Shqipëri – Kosovë
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:40 0:00

Të dy vendet kanë pak bashkëpunim deri tani në niveli vendor. “Synimi është që të nxitet bashkëpunimi në nivele teknike”, thotë për Zërin e Amerikës, Enes Toska, këshilltar kombëtar i Programit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNDP) që e ka mbështetur këtë nismë.

“Një prej qëllimeve krysore të kësaj vizite studimore është ofrimi i një platforme të bashkëpunimit mes zyrtarëve të bashkive të Kosovës dhe Shqipërisë, ku sot i kemi mbi 10 komuna nga Kosova të pranishme dhe që përfaqësojnë departamentet e planfikimit hapësinor, turizmit dhe trashëgimisë kulturore. Është një lloj shkëmbimi me zyrtarët, me institucionet e Gjirokastrës, qofshin të nivelit qendror, po ashtu edhe nga niveli i bashkisë dhe kjo pason vizita të tilla studimore në Bashkitë e Tiranës dhe Beratit", thotë ai.

Zoti Toska thotë se niveli i bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kosovës duhet të ketë më shumë punë të përbashkëta dhe të kapërcehet faza deklarative.

Edhe pse kemi bashkëpunime deklarative nuk kemi bashkëpunim thelbësor në aspekt të punës së përbashkët. Fatkeqësisht në nivel vendor ne nuk kemi arritur stadin e punëve dhe projekteve të përbashkëta Kosovë- Shqipëri që të kemi impakt më të madh qoftë në promovimin dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në qytetet historike që kemi. Ta kalojmë këtë fazën deklarative qofshin të ministrave apo të zyrtarëve të lartë komunalë por të krijojmë grupe punuese, t`i ftojmë profesionistë siç i kemi sot në Gjirokastër arkitektët, urbanistët, zyrtarët që merren direkt me turizëm. Në momentin kur ky nivel i përfaqësimit do jetë i anagzhuar në projekte të përbashkëta do kemi rezultate të prekshme", thotë zoti Toska.

Dalon Kulludra nga Drejtoria e Turizmit në Gjakovë thotë se me Gjirokastrën është tashmë një bashkëpunim i qëndrueshëm në në fushën e artizanatit,por që ka nevojë të zgjerohet.

"Ne si komunë e Gjakovës prej shumë vitesh me radhë kemi një bashkëpunim me Bashkinë e Gjirokastrës ku grupi i artizanëve nga Gjakova vjen në Gjirokastër në panairin tradicional të trashëgimisë. Por kjo nuk është e mjaftueshme pasi duhet të jetë një bashkëpunim edhe më i thellë në projekte konkrete që mund të prekin zhvillimin ekonomik permes turizmit dhe trashëgimisë kulturore", thotë Dalon Kulludra.

Zoti Kulludra thotë se konkretisht në fushën e turizmit kulturor dhe natyror mund të punohet bashkarisht nga shumë njësi vendore të të dy vendeve që kanë potenciale kulturore dhe natyrore.

Ndërsa Sherife Çengaj, nga Drejtoria e Turizmit të Prizrenit thotë se bashkëpunimi në nivele specialistësh mes Kosovës dhe Shqipërisë është mjaft i dobishëm.

"Shkëmbimi i përvojës mes qyteteve historike është mjaft i rëndësishëm. Të mësojmë ne si keni mundur të hyni në UNESCO, si e promovoni qytetin tuaj, si duhet ta ruajmë, si ta menaxhojmë çdo monument kulturor, historik dhe me vlerat e tjera që mbart", thotë ajo.

Zonja Çengaj,thotë se të dy qytetet historike Prizreni dhe Gjirokastra duhet të hedhin hapa në binjakëzimin dhe të nxisin më shumë turizmin kulturor dhe historik.

Nënkretarja e Bashkisë së Gjirokastrës Jorida Muho dhe përfaqësuesi i Fondacionit Gjirokastra, Sadi Petrela i kanë njohur përfaqësuesit nga Kosova me disa nga mundësitë për të punuar së bashku sidomos në fushën e turizmit dhe trashëgimisë kulturore.

Destinacionet turistike shqiptare sidomos bregdetare kanë qenë të preferuarat e turistëve nga Kosova në periudhën e pandemisë.

Të dhënat zyrtare flasin se nga Janar në Tetor të këtij viti prurjet turistike u dyfishuan në 2 milonë e 470 mijë nga 1 milionë e 223 mijë shtetas nga Kosova që hynë në Shqipëri nga Janari deri në Tetor të vitit 2020.

XS
SM
MD
LG