Lidhje

Emërohet komandanti i ri i Forcës së Sigurisë së Kosovës


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, emëroi të martën gjeneralmajorin Bashkim Jashari, komandant të ri të Forcës së Sigurisë.

Në një njoftim të zyrës së saj thuhet se “emërimi është bërë siç parashihet në ligjin për FSK-në, pas propozimit të ministrit të Mbrojtjes dhe rekomandimit të kryeministrit të Republikës së Kosovës”.

Para emërimit të komandantit të ri, presidentja Osmani dekretoi “lirimin nga detyra të komandantit të deritanishëm të FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, pas paraqitjes së dorëheqjes nga ana e tij”.

Nuk janë dhënë hollësi rreth shkaqeve të dorëheqjes së zotit Rama i cili ishte emëruar në këtë post në vitin 2015.

Mediat lokale thanë se përplasjet ndërmjet zotit Rama dhe ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj, çuan në dorëheqjen e zotit Rama. Këto pohime nuk janë vërtetuar nga burime të pavarura.

Forca e Sigurisë së Kosovës u themelua në janar të vitit 2009, ndërsa në dhjetor të vitit 2018, parlamenti i Kosovës miratoi ligjin për shndërrimin e saj në ushtri të Kosovës. Autoritetet thonë se shndërrimi i saj në ushtri do të jetë një proces që do të zgjasë 10 vjet dhe nuk do të zëvendësojë forcat e NATO-s që vazhdojnë të kenë rreth 4 mijë trupa paqeruajtëse në Kosovë, disa qindra prej të cilëve janë amerikanë.

XS
SM
MD
LG