Lidhje

Identifikohet rasti i parë i transmetimit në komunitet i variantit Omicron në ShBA


Rasti i parë i njohur i transmetimit në komunitet të variantit Omicron të koronavirusit në Shtetet e Bashkuara u identifikua në Minesota të enjten, tha departamenti i shëndetësisë i shtetit.

Shtetet e Bashkuara raportuan rastin e parë të variantit Omicron në Kaliforni të mërkurën, tek një person plotësisht i vaksinuar që kishte qenë në Afrikën e Jugut ku varianti i ri u zbulua për herë të parë muajin e kaluar.

Një ditë më pas, departamenti i shëndetit publik i Minesotës tha se një banor i infektuar me variantin Omicron, ishte një i rritur, plotësisht i vaksinuar, i cili kohët e fundit kishte udhëtuar në qytetin e Nju Jorkut.

Ai zhvilloi simptoma të lehta më 22 nëntor dhe bëri testimin përCOVID-19 më 24 nëntor, tha departamenti i shëndetësisë i shtetit, duke shtuar se simptomat e tij kishin kaluar.

Shkencëtarët po e studiojnë variantin Omicron, i cili është cilësuar si një variant shqetësues nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, për të zbuluar nëse është më i transmetueshëm apo më i rëndë se varianti Delta. Ata po analizojnë gjithashtu se sa efektive janë vaksinat aktuale ndaj tij.

Guvernatori i Minesotës, Tim Walz u kërkoi banorëve të vaksinohen dhe të mbajnë maska në ambjentet e brendshme.

"Ky lajm është shqetësues, por nuk është befasi," tha zoti Walz. "Ne e dimë se ky virus është shumë ngjitës dhe qarkullon me shpejtësi në të gjithë botën."

Personi që kishte virusin foli me ekspertët e Departamentit të Shëndetësisë të Minesotës dhe njoftoi se kishte qenë në Nju Jork nga 19 deri më 21 nëntor.

Epidemiologët e Minesotës do të vazhdojnë të bashkëpunojnë me qytetin e Nju Jorkut dhe Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

Guvernatori Walz tha se përgjigja më e mirë ndaj këtij varianti të zbuluar së fundmi është ajo që ka qenë e vlefshme gjatë gjithë pandemisë: vaksina për COVID-19.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG