Lidhje

Izraeli kërkon ndërprerjen e menjëherëshme të bisedimeve bërthamore me Iranin

Izraeli u kërkoi të enjten fuqive botërore që të ndërpresin menjëherë bisedimet bërthamore me Iranin, duke përmendur si argument njoftimin e Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Atomike se Teherani ka filluar prodhimin e uraniumit të pasuruar me centrifuga më të avancuara.

"Irani po e përdor shantazhin bërthamor si një taktikë negociuese dhe kjo duhet të marrë si përgjigje ndërprerjen e menjëhershme të negociatave dhe zbatimin e hapave të rreptë nga fuqitë botërore," tha kryeministri Naftali Bennett në një telefonatë me Sekretarin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara, Antony Blinken, sipas zyrës së zotit Naftali.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) tha të mërkurën se Irani kishte filluar procesin e pasurimit të uraniumit deri në 20% të pastër me 166 makineri të avancuara IR-6 në kompleksin Fordow.

Irani dhe fuqitë e mëdha po përpiqen në bisedimet e tyre në Vienë të rigjallërojnë një marrëveshje të vitit 2015, në bazë të së cilës Teherani kufizoi programin e tij bërthamor në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ekonomike nga ana e Shteteve të Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe OKB-ja. Shtetet e Bashkuara u tërhoqën nga pakti në vitin 2018, gjatë administratës së ish- Presidentit të atëhershëm Donald Trump, dhe Irani reagoi duke shkelur kufizimet e marrëveshjes.

Një zyrtar izraelit tha se kryeministri Bennett i tha sekretarit Blinken se ishte kundër çdo heqjeje sanksionesh kundër Iranit, në mënyrë të veçantë kundër një marrëveshjeje të përkohshme, e cila do të nënkuptonte në mënyrë efektive "fluks masiv fondesh për regjimin iranian."

Sipas marrëveshjes së vitit 2015, në Fordow nuk duhet të ketë asnjë aktivitet për pasurim uraniumi.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG