Lidhje

Synimet e SHBA-së për të avancuar strategjinë për Indo-Paqësorin


Shtetet e Bashkuara po avancojnë "partneritetin e tyre strategjik" me Shoqatën e Vendeve të Azisë Juglindore (ASEAN) në një përpjekje të administratës së Presidentit Joe Biden për zbatimin e një "kornizë të re ekonomike mbi Indo-Paqësor" në fillim të vitit 2022.

Sekretari i Shtetit Antony Blinken do të nisë një seri takimesh me ministrat e jashtëm të bllokut të Azisë Juglindore në udhëtimet e tij në Mbretërinë e Bashkuar, Indonezi, Malajzi, Tajlandë dhe Havai, prej datës 9 deri më 17 dhjetor.

Për herë të parë, anëtarët e ASEAN-it ftohen të marrin pjesë në një takim të ministrave të jashtëm dhe të zhvillimit të G-7, i cili do të mbahet në qytetin britanik të Liverpulit më vonë gjatë kësaj jave.

Zoti Blinken pritet të takohet me disa nga homologët e tij nga blloku i Azisë juglindore gjatë mbledhjes së G-7.

Në Xhakartë, zoti Blinken do të mbajë një fjalim mbi rëndësinë e rajonit të Indo-Paqësor dhe do të nënvizojë rëndësinë e Partneritetit Strategjik SHBA-Indonezi.

Indonezia është vendi me popullsinë më të madhe myslimane në botë. Zoti Blinken do të vizitojë një klinikë vaksinimi, një takim i organizuar nga një prej shoqatave fetare më të mëdha të këtij vendi.

Diplomati më i lartë i SHBA-së më pas shkon në Malajzi dhe Tajlandë ku do të përpiqet të avancojë lidhjet e SHBA-së me këto vende dhe të trajtojë sfidat e përbashkëta, përfshirë COVID-19, ndërtimin e zinxhirëve elastikë të furnizimit, krizën klimatike dhe sigurimin e një rajoni të lirë dhe të hapur të Indo-Paqësorit.

XS
SM
MD
LG