Lidhje

Bob Dole nderohet në vendlindjen e tij në Kansas


Ish-senatori Bob Dole u nderua të shtunën si njeriu më “i madh” i “brezit më madhështor” në shtetin e Kansasit, pas një udhëtimi të fundit në vendlindjen e tij.

Zyrtarët dhe ish-zyrtarë të zgjedhur nga të dyja partitë u mblodhën në shtëpinë e tij të fëmijërisë në Russell të Kansasit, duke vlerësuar lart shërbimin ushtarak të zotit Dole në Luftën e Dytë Botërore gjatë të cilit ai u plagos rëndë, si edhe karrierën e shquar politike që pasoi rimëkëmbjen e tij.

Ceremonitë për nder të tij filluan me homazhe publike pranë arkivolit të tij dhe një shërbim përkujtimor në një kishë katolike në Russell, një qytet i vogël rreth 386 kilometra në perëndim të Kansas City, ku ai u rrit gjatë Depresionit të Madh.

Një tjetër ceremoni përkujtimore do të pasonte në pasditen e së shtunës në kryeqytetin e shtetit Topeka, ku zoti Dole shërbeu për një kohë të shkurtër në Dhomën e Përfaqësuese të Kansasit në vitet 1950.

Mes zyrtarëve që bënë nderime ishin guvernatorja demokrate Laura Kelly, dy senatorët republikanë të Kansasit, Roger Marshall dhe Jerry Moran, dhe ish-senatorët republikanë Pat Roberts dhe Nancy Kassebaum Baker.

Ish-Senatori Dole vdiq të dielën e kaluar në moshën 98-vjeçare pasi shërbeu gati 36 vjet në Kongres dhe kandidoi si republikan për postin e presidentit në vitin 1996.

Guvernatorja Kelly tha në një fjalim në vendlindjen e zotit Dole se Russell ishte vendi ku ishin rrënjët e tij.

"Ndërsa mblidhemi këtu sot për të përshëndetur birin më të dashur mes bijve të shtetit tonë dhe më të madhërishmin e Brezit më të Madh, ne ndalemi për të reflektuar me mirënjohje të madhe mbi domethënien që ka jeta e Bob Dole për Kansasin dhe banorët e tij, për vendin tonë dhe botën”, tha zonja Kelly.

Ajo shtoi se "është e vështirë të imagjinohet Kansasi pa Bob Dole."

Dole u nderua gjithashtu të premten gjatë një shërbimi në Katedralen Kombëtare të Uashingtonit si një senator që mund të bënte politikën e partisë së tij republikane duke mbetur i civilizuar dhe si një patriot, i cili me vendosmëri u shërua nga plagët e rënda që mori gjatë Luftës së Dytë Botërore në Itali, në 1945. Ai kishte talentin për të arritur kompromise dhe një mprehtësi të veçantë, që shpesh e përdorte në batuta si kundër të tjerëve ashtu edhe vetes.

Në ceremoninë në Katedrale foli edhe Presidenti Joe Biden. Një tjetër homazh u mbajt në Memorialin e Luftës së Dytë Botërore në Uashington, ku foli edhe aktori Tom Hanks.

Dole do të varroset në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit, por arkivoli i tij u dërgua në vendlindjen e tij të premten për homazhe.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG