Lidhje

Arrestohet në Romë, ish kryeprokurori Adriatik Llalla


Ish prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë, Adriatik Lalla, u arrestua sot në Itali, nga Interpol Roma. Sipas një njoftimi zyrtar të Policisë shqiptare “falë informacioneve të marra nga strukturat e Policisë së Shtetit, për vendndodhjen e këtij personi, si dhe shkëmbimit të informacionit mes Interpol Tiranës dhe Policisë italiane u bë i mundur lokalizimi dhe arrestimi i tij, me qëllim ekstradimi”.

Ndaj zotit Llalla, ishte lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar, pasi policia nuk e gjeti atë në Shqipëri, kur Gjykata e Apelit dha ndaj tij dënim me burg të formës së prerë. Në bazë të sistemit TIMS, rregjistrit të hyrje daljeve nga vendi, rezultonte që zoti Llalla të ishte larguar me një fluturim drejt Italisë, disa ditë përpara vendimit të dënimit.

Më 22 shtator Gjykata e posaçme e Apelit la në fuqi vendimin e marrë në Shkallën e parë, sipas të cilit ish Prokurori i Përgjithshëm dënohej me 2 vjet burgim dhe 5 vjet përjashtim nga funksionet publike, pasi u shpall fajtor nën akuzat për “fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë”.

Po ashtu atij i konfiskohen edhe disa prona të vëna paraprakisht nën sekuestro: 4 sipërfaqe toke, gjithsej 22 mijë metra katrore dhe 1 apartament në Durrës.

Avokati i zotit Llalla deklaroi pas vendimit se ish kryeprokurori gjendej në regjim spitalor, por se ai nuk e dinte vendndodhjen e tij.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG