Lidhje

Presidentja Osmani kërkon shtimin e angazhimit amerikan dhe evropian kundër ndikimit rus


Presidentja Osmani kërkon rritje të angazhimit amerikan dhe evropian kundër ndikimit rus
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:18 0:00

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha të premten se Ballkani Perëndimor ka nevojë për rritje të vëmendjes amerikane dhe evropiane për të penguar zgjerimin e ndikimit rus në rajon nëpërmjet Serbisë.

Ajo i bëri këto komente në fjalimin vjetor në Parlamentin e Kosovës, në të cilin foli edhe për reformat në sistemin e drejtësisë dhe për mosndëshkueshmërinë e dhunës ndaj grave.

Presidentja Osmani tha se Kosova është projekti më i rëndësishëm dhe më i suksesshëm i politikës së jashtme amerikane e evropiane. Ajo tha se bisedimet me Serbinë janë mjet i rëndësishëm për qëndrueshmërinë dhe zhvillimin e rajonit ndërsa theksoi se Kosova do të vazhdojë të luajë rol konstruktiv në këto bisedime.

“Për fat të keq nuk e shohim këtë gatishmëri te Serbia, në fakt qëllimet e tyre mbesin të njëjta përherë sado që strategjitë mund t’u ndryshojnë. Serbia ka pretendime të qarta territoriale ndaj Kosovës dhe këtë nuk e fsheh as në retorikë e as në veprime. Duke shërbyer si trampolinë e interesave ruse në rajon, Serbia ka për qëllim të destabilizojë shtetet tjera të rajonit përfshirë Kosovën, duke përdorur logjikën e shekullit të kaluar”, tha ajo.

Presidentja Osmani tha se autoritetet e Kosovës nuk do të lejojnë që bisedimet të shndërrohen në negociata për statusin, territorin apo funksionalitetin e brendshëm e rendin kushtetues. Ajo tha se idetë që kanë për synim ndarje territoriale në vija etnike nuk do të përsëriten në Kosovë.

“Në fakt siç dëshmon historia, idetë e tilla krijojnë konflikte të reja e do të krijonin jofunksionalitet në vend prandaj me tërë atë që po ndodh së fundmi në Bosnje e Hercegovinë është e pakuptueshme që ende ka zëra që shtyjnë përpara ide që në Kosovë thjesht do ta krijonin krizën e njëjtë si në Bosnje e Hercegovinë apo kriza të ngjashme me ato të krijuara nga Rusia në Ukrainë e në Moldavi, prandaj i ftoj të gjithë që të punojmë bashkërisht për të refuzuar idetë e shekullit të kaluar dhe të ecim përpara me ide të shekullit 21, ide që janë ne frymën evropiane që synojnë integrimin, harmoninë e bashkëjetesën”, tha ajo.

Presidentja Osmani kritikoi çdo përpjekje për ta paraqitur Kosovën si palë penguese në bisedime, deklarata këto që sipas saj janë njëanshmëri dhe lëndojnë besueshmërinë e procesit të dialogut.

“Historia në mëson se akomodimi i autokratëve asnjëherë nuk sjellë më shumë paqe por më shumë luftëra e vuajtje, prandaj të mësojmë nga historia sepse përkrahja dhe inkurajimi i autokratëve është dekurajimi më i madh ndaj demokracisë, në kohën kur demokracia anembanë botës po rrezikohet nga tendenca autoritare në rritje dhe kampanja dezinformuese. Dialogu mund të ketë sukses nëse ka në qendër të vetmen zgjidhje që sjellë paqe në rajon e ajo është njohja reciproke duke respektuar integritetin territorial, sovranitetin kushtetues të vendit tonë si dhe drejtat e qytetarëve tanë”, tha ajo.

Presidentja Osmani tha se Serbia duhet të heq dorë nga tendencat destabilizuese në veri, nga trysnia ndaj qytetarëve serb të Kosovës si dhe nga përkrahja e strukturave kriminale dhe politikat agresive ndaj fqinjëve të saj.

Presidentja Osmani tha se institucionet e vendit do të vazhdojnë luftën kundër krimit të organizuar në çdo pjesë të Kosovës ndërsa u bëri thirrje komuniteteve posaçërisht atij serb, që të integrohen në jetën shoqërore të vendit.

Fjalimi i presidentes Osmani, nuk u ndoq nga deputetët e Partisë Demokratik dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në opozitë, të cilat thonë se presidentja është duke i shërbyer agjendës politike të qeverisë dhe se ka dështuar të shërbejë si përfaqësuese e unitetit të popullit.

XS
SM
MD
LG