Vlera e lirës turke u rrit edhe më tej të martën pasi presidenti i vendit njoftoi masa të reja për të mbrojtur depozitat në monedhën kombëtare kundër luhatjeve të monedhës. Lira arriti nivelin më të ulët historik kundrejt dollarit amerikan të hënën, por e mori veten përsëri duke arritur në nivelin më të lartë mëngjesin e së martës. Lira turke ka qënë duke u zhvlerësuar që kur Banka Qendrore e këtij vendi filloi të ulë normat e interesit në shtator, megjithë rritjen e inflacionit. Lira e dobësuar ngriti çmimet e mallrave të konsumit, me shumë njerëz që e kanë të vështirë të përballojnë ushqimet dhe artikuj të tjerë bazë.
Turqit dhe turistët pritën në radhë të gjata jashtë zyrave të këmbimit të martën, pasi lira turke u forcua pas niveleve të ulëta rekord.
Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan prezantoi një sërë masash të hënën vonë, që ai tha se do të lehtësonin barrën e një monedhe të dobësuar mbi turqit dhe do t'i inkurajonte ata të mbanin lira në vend të dollarëve.
Duke shprehur shqetësime për pasigurinë, disa turq që kërkonin të blinin dollarë amerikanë pritën në radhë jashtë zyrave të këmbimit.
"Disa njerëz ndoshta janë bindur (me hapat e fundit) dhe kanë këmbyer dollarët e tyre në lira turke. Por ne nuk e dimë se sa do të zgjasë, gjithçka mbetet e pasigurt. Vendimi i Shteteve të Bashkuara ende nuk dihet, normat e interesit po rriten kudo në botë. Hapat e qeverisë janë një lloj rritjeje e maskuar e normave të interesit", thotë një pensionist në Stamboll.
Sipas planit të Erdoganit, qeveria e tij premtoi të garantonte depozitat në lira, duke bërë që monedha të hënën të rritej në një moment me rreth 25%, rritja e saj më të madhe brenda ditës në histori.
Monedha turke, e cila ka humbur 44% të vlerës së saj ndaj dollarit amerikan këtë vit, fillimisht u forcua të martën në nivelin më të lartë ditor - 11 lira për një dollar, më vonë u dobësua në 14 lira përpara se të stabilizohej në 12.6 lira kundrejt një dollari.
"Prirja e ngritjes është ndalur dhe po luhatet përsëri. Kur dola nga shtëpia, një gram ar, ishte 700 lira, tani është 803 lira. Lira ishte 11 kundrejt dollarit, tani është 15. Ajo që bënë me këto masa ishte të merrnin paratë e njerëzve të varfër nga llogaritë në dollarë dhe ar dhe t'i bënin biznesmenët më të pasur", thotë Salim Kart, një i vetëpunësuar.
Qeveria është zotuar të paguajë diferencën midis vlerës së kursimeve në lira dhe depozitave ekuivalente në dollarë.
Sipas të dhënave të bankës qendrore, më shumë se gjysma e kursimeve të turqve janë në valuta të huaja dhe në ar, për shkak të humbjes së besimit te lira, e cila është zhvlerësuar në vite.
Lira ka rënë në nivele rekord këtë vit për shkak të frikës së inflacionit në rritje të shkaktuar nga ulja e normave të interesit nga Banka e Turqisë.