Lidhje

Të dërguarit e Berlinit dhe Moskës do të mbajnë bisedime për Ukrainën


Zyrtarë të lartë të qeverisë gjermane dhe ruse kanë rënë dakord për një takim të rrallë muajin e ardhshëm në një përpjekje për të ulur tensionet politike mbi Ukrainën, tha të shtunën një burim i qeverisë gjermane.

Këshilltari për politikën e jashtme i kancelarit gjerman Olaf Scholz, Jens Ploetner dhe negociatori rus i Ukrainës, Dmitry Kozak ranë dakord të takoheshin pas një bisede të gjatë telefonike të enjten, tha burimi për agjencinë Reuters pa dashur të identifikohet.

Qeveria gjermane nuk ka bërë asnjë koment zyrtar. Një zëdhënës i zotit Kozak nuk pranoi të komentojë.

Muajt e fundit ka pasur një sërë telefonatash mes udhëheqësve perëndimorë dhe presidentit rus Vladimir Putin lidhur me grumbullimin e trupave të Rusisë në kufirin ukrainas dhe frikën për një ndërhyrhje të mundshme.

Takimet personale mes zyrtarëve të lartë perëndimorë dhe rusë kanë qenë të pakta, megjithëse presidenti amerikan Joe Biden mbajti bisedime me presidentin Putin në Gjenevë qershorin e kaluar.

Që nga marrja e detyrës këtë muaj, kancelari Scholz ka theksuar nevojën për dialog me Rusinë rreth përqendrimit të saj ushtarak në kufirin ukrainas, duke u bashkuar me aleatët perëndimorë në mbështetjen e sanksioneve nëse Moska ndërhyn në Ukrainë.

Berlini ka më shumë mëdyshje se Uashingtoni nëse Rusia me të vërtetë synon të sulmojë Ukrainën dhe është i prirur të zbusë tensionet, i thane agjencisë Reuters dy burime qeveritare gjermane pa u identifikuar.

Kritikët akuzojnë Gjermaninë se e toleron zotin Putin për shkak të nevojës për gaz rus dhe janë shprehur kundër ndërtimit të gazsjellësit Nord Stream 2 mes dy vendeve, që e anashkalon Ukrainën. Berlini thotë se Nordstream 2 nuk është politik dhe do të ishte vetëm një nga disa tubacionet që transportojnë gazin rus në Evropë.

"Qëllimi i palës gjermane mbetet të arrijë një riaktivizim të shpejtë të formatit të Normandisë," tha burimi i qeverisë gjermane, duke iu referuar bisedimeve shumëpalëshe midis Ukrainës, Rusisë, Francës dhe Gjermanisë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG