Lidhje

Izrael, plane për të dyfishuar numrin e vendbanimeve në Lartësitë e Golanit


Qeveria izraelite vendosi të dielën një objektiv për të dyfishuar numrin e vendbanimeve hebreje në Lartësitë e Golanit brenda pesë vitesh, një lëvizje që mund të forcojë kontrollin e saj në territorin që pushtoi gjatë luftës me Sirinë, në 1967.

Kryeministri Naftali Bennett citoi ish-Presidentit Donald Trump i cili në vitin 2019 i njohu Izraelit sovranitetit mbi këtë rajon, si dhe faktin që nuk ka asnjë shenjë se pasardhësi i tij, Joe Biden, synon ta ndryshojë këtë vendim, si faktorë që qëndrojnë pas një plani disa miliona dollarësh, që parashikon ngritjen e ndërtesave të banimit e ndërtimin e infrastrukturës në këtë zonë.

Sipas planit të miratuar nga qeveria, i cila mbajti seancën e saj javore në Golan, rreth 7,300 godina banimi do të ndërtohen në Katzrin, vendbanimi kryesor i Izraelit në këtë zonë, sidhe në komunitetet më të vogla hebreje.

Qëllimi i vendimit është të dyfishojë numrin e banorëve (izraelitë) në Golan në vitet e ardhshme, që do të thotë një shtim me 23,000 vetë në zonë”, thuhet në një deklaratë të lëshuar nga zyra e kryeministrit Bennett.

Në shkurt, pak pasi zoti Biden u betua si president, Sekretari i Shtetit Antony Blinken tha për rrjetin televiziv CNN se kontrolli mbi Lartësitë e Golanit është mjaft i rëndësishëm për sigurinë e Izraelit. Zoti Blinken vuri në dukje praninë në Siri të grupeve të milicisë të mbështetur nga Irani, një aleat kryesor i presidentit sirian Bashar al-Assad.

.

XS
SM
MD
LG