Lidhje

Rina Amiri emërohet e dërguara e posaçme për gratë dhe vajzat afgane


Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken njoftoi të mërkurën emërimin e Rina Amirit si e dërguara e posaçme për të drejtat e njeriut për gratë dhe vajzat afgane.

Emërimi vjen ndërsa gratë në vend po përballen me shtypje në rritje nga talebanët në pushtet pas tërheqjes së SHBA-së në gusht.

Në fillim të kësaj jave, talebanët njoftuan se gratë nuk do të mund të udhëtojnë më në distanca të gjata pa një shoqërues mashkull. Gratë tashmë përballen me kufizime të rënda në arsim dhe punësim.

“Ne dëshirojmë një Afganistan paqësor, të qëndrueshëm dhe të sigurt, ku të gjithë afganët mund të jetojnë dhe të kenë sukses në përfshirjen politike, ekonomike dhe sociale”, tha sekretari Blinken në një deklaratë.

Zonja Amiri është një studiuese me origjinë afgane që shërbeu në Departamentin e Shtetit nën ish-presidentin Barack Obama. Ajo ka punuar për dy dekada duke këshilluar qeveritë dhe Kombet e Bashkuara për çështjet e Afganistanit.

Sipas agjencisë Reuters, administrata Biden u përball me kritika të ashpra nga grupet e të drejtave të grave për dështimin për të mbrojtur jetët dhe për të siguruar kalimin e sigurt të aktivisteve gra nga Afganistani. Amiri ishte një nga ata kritikë, raporton agjencia e lajmeve.

XS
SM
MD
LG