Policia e Fierit tha të mërkurën se ka arrestuar pesë punonjës policie të zinxhirit komandues dhe përgjegjës të Komisariatit të Policisë Mallakastër, ndërsa tre të tjerë janë me detyrim paraqitjeje në policinë gjyqësore.
Mes të arrestuarve është Elvin Karaj, Shef i Krimeve në Komisariatin e Mallakastrës dhe inspektorët e policisë Endrit Vika, Ermal Beharaj, Erlind Likaj dhe Ornel Kuqari.
Arrestimet erdhën pas një urdhëri të Gjykatës së Fierit dhe hetimeve të kryera muajt e fundit pas zbulimit të disa parcelave të kultivuara me bimë narkotike, në Poçem të Mallakastrës. Gjatë operacionit të zhvilluar në qershor tre persona u arrestuan në flagrancë.
Sipas policisë së Fierit, personat e arrestuar të mërkurën dyshohet se kanë shpërdoruar detyrën gjatë periudhës qershor shtator 2021 duke lejuar, apo favorizuar, veprimtarinë kriminale të disa shtetasve të arrestuar më parë nga Prokuroria e Fierit, nën dyshimet për kultiv të bimëve narkotike.
Kultivimi i narkotikëve edhe gjatë vitit 2021 mbetet i përhapur në disa zona të thella malore në Qarkun e Gjirokastrës dhe Fierit, dhe pjesa më e madhe e marijuanës transportohet drejt Greqisë.
Të mërkurën policia kufitare e Gjirokastrës dhe oficerët e FRONTEX zbuluan rreth 50 kilogramë marijuanë dhe një sasi të vogël lënde plasëse në brezin kufitar shqiptaro-grek.